Euro 2020

“Timonierët” e skuadrave, Page përballë Petkovic-it


Uellsi dhe Zvicra do të përballen në ndeshjen hapëse të ditës së shtunë, në Euro 2020, duke filluar nga ora 15:00. Robert Page është trajneri i kombëtars së Uellsit, ndërsa zvicerianët i drejton Vladimir Petkoviç-i.

Page është 46-vjeç dhe karrierën si trajenr e ka nisur te Port Vale në Ligën e Dytë angleze (e katërta për nga rëndësia). Në 2017 ai ka drejtuar ekipet e moshave të Uellsit, U-17, U19 dhe U-21.

Në 2019, Page kaloi si ndihmës i trajnerit, Ryan Giggs, në ekipin A të Uellsit për 12 ndeshje dhe më pas në 2020 u bë trajneri kryesor i kombëtares.

Formacioni i preferuar i 46-vjeçarit është 3-4-3. Uellsin e ka drejtuar në tetë ndeshje, ku numëron katër fitore, dy barazime dhe dy humbje. Page nuk ka arritur të fitojë asnjë trofe në karrierën e tij si trajner.

Në krahun tjetër, Petkoviç-i është një emër i njohur në futbollin Evropian. 57-vjeçari ka një karrierë të pasur pasi ka drejtuar ekipe si Lugano, Sion-i, Young Boys-i, Samsunspor-i dhe Lazio.

Në sezonin 2012/13, Petkoviç-i arriti të fitonte Kupën e Italisë me Lazio-n, duke mposhtur Roma-n në finale me rezultatin 1-0.

Drejtimin e Zvicrës, 57-vjeçari e mori në vitin 2014. Në total, i ka drejtuar në 73 ndeshje, ku ka arritur 40 fitore, 13 barazime dhe 20 humbje. Nën drejtimin e tij,  Zvicra është kualifikuar në Euro 2016, Kupën e Botës 2018 dhe Euro 2020. Skema e preferuar e teknikut Petkoviç është 3-4-1-2.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore