Sport

Tifozët çekë provokojnë Shaqirin, shfaqin flamurin “Kosova është Serbi”


Futbollisti nga Kosova, Xherdan Shaqiri, është provokuar nga tifozët çekë, në ndeshjen që ekipi i tij Lyon, e fitoi në udhëtim te Sparta e Pragës me rezultat 3:4.

Në këtë ndeshje Shaqiri nuk u prit mirë nga tifozët në stadiumin “Generali Ceska pojistovna Arena”, pasi që këta të fundit shfaqën flamurë me hartën e Kosovës dhe me mbishkrime “Kosovo is Serbia”.

Kujtojmë që Shaqiri ishte bërë pjesë e debateve në Zvicër, pasi që në ndeshjen e fundit të luajtur me kombëtaren zvicerane, një tifoz shqiptar ia veshi atij një xhaketë me logo të UÇK-së, derisa ai po jepte intervistën pas ndeshjes.

Kjo gjë nuk u pëlqeu aspak serbëve, të cilët reaguan menjëherë duke dërguar një ankesë në FIFA.

Dhe, ky provokim në stadiumin e Pragës, mendohet të jetë bërë pikërisht nga tifozët serbë në Çeki, të cilët kërkuan një lloj hakmarrje, duke paraqitur pankarta provokuese për shtetin e Kosovës.

Sa i përket ndeshjes, Shaqiri luajti në atë takim për 75 minuta, por nuk arriti të lërë gjurmë në atë takim, pavarësisht se kishte paraqitje tejet të mirë.

Kujtojmë që kjo ndeshje ishte e vlefshme për xhiron e tretë të grupeve në Ligën e Evropës, ku pas kësaj fitoreje, Lyon-i përforcon vendin e parë me nëntë pikë.

Derisa, përveç këtyre dy skuadrave, në këtë grup gjenden edhe skocezët e Rangers dhe danezët e Brondby.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore