Lajme

Themelorja iu kërkon të dorëzohen Jovanoviç-it dhe Raçiç-it, akuzohen për krime lufte


Gjykata Themelore e Prishtinës.

Gjykata Themelore në Prishtinë, i ka ftuar të paraqiten në seancë gjyqësore Millan Jovanoviç dhe Dejan Raçiç, të cilët akuzohen për krime lufte kundër popullsisë civile në Kosovë.

Lajmin e ka bërë të ditur Gjykata Themelore në Prishtinë, përmes një komunikate për media.

“Konform nenit 303 paragrafi 8 të KPPRK-së, gjykata u bënë thirrje të akuzuarit Dejan Raçiç, të dorëzohet dhe të paraqitet sa më parë pranë kësaj gjykate, që kjo çështje penale të zhvillohet me prezencën e tij në seancën e caktuar me datë dhe në kohë si më lartë”, thuhet në njoftimin e Gjykatës Themelore.

Themelorja ka shtuar se Jovanoviç duhet të paraqitet sa më parë pranë kësaj gjykate, që kjo çështje penale “të zhvillohet me prezencën e tij në seancën e caktuar”.

Edhe Dejan Raçiç, i lindur në fshatin Videj në Klinë, i nacionalitetit serb, dyshohet se ka kryer krime lufte ndaj popullsisë civile.

Gjykata ka bërë thirrje që “çdo informacion mbi vendndodhjen e Raçiç-it t’i komunikohet Policisë së Kosovës”.

Më 18 janar, Policia e Kosovës, këtë të shtunë, ka bërë të ditur se ka arrestuar një person të dyshuar të nacionalitetit serb për “krime lufte kundër popullatës civile” në Kosovë.

I dyshuari serb, sipas Policisë së Kosovës, është ndaluar në pikë kalimin kufitar në Jarinje me dyshimin për krime lufte kundër popullatës civile të kryera gjatë viteve 1998-1999 në Komunën e Vushtrisë.

Edhe më 14 shtator, Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës kishte ngritur aktakuzë kundër dy të pandehurve serbë me inicialet I.R dhe D.D, për veprën penale të dhunimit seksual, gjatë luftës në Kosovë.

Në luftën e zhvilluar në Kosovë më 1998/99, janë vrarë mbi 13 mijë persona dhe mijëra të tjerë janë zhdukur.

Mbi 1 mijë e 600 persona vazhdojnë të jenë ende të pagjetur – pjesa më e madhe e tyre shqiptarë.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore