Lajme

Thaçi mbetët pa avokatët kryesorë, nuk po mund t’i paguajë më


Hashim Thaçi.

Avokatin kryesore të Hashim Thaçit, Gregory Kehoe dhe kolegët e tij nga kompania e avokatisë, “Greenberg Legal Associates” nuk do të mund të shihen më në mbroje të ish-presidentit të Kosovës.

Kjo pasi ekipi i Thaçit nuk ka mundur t’i paguajë më, kurse Ministria e Drejtësisë së Kosovës nuk merr përgjegjësinë të paguajë avokatë të tjerë, përveç Luka Mishetiç-it, me të cilin ka kontratë.

Kërkesa për dorëheqje nga rasti tashmë është dorëzuar nga Kehoe dhe kolegët e tij edhe te Gjykata Speciale.

“Z.Thaçi nuk ka përmbushur detyrimin ndaj Gregory Kehoe, Joe Reeder, Asociacionit Greenbuerg Legal dhe anëtarëve të ekipit mbështetës dhe z.Thaçit i është dhënë një paralajmërim i arsyeshëm se do të kërkonin përfundimi nëse nuk u është përmbushur detyrimi”, thuhet në njoftimin e Dhomave të Specializuara.

Po ashtu në njoftim është përfshirë kërkesa zyrtare e mbrojtjes së Thaçit, derisa thuhet se sipas rregullores, kur të caktohet grupi tjetër i mbrojtjes, avokatët paraprak duhet të vazhdojnë të bashkëpunojnë “në një periudhë prej jo më shumë se 45 ditë”.

Më 29 janar, ministria e Drejtësisë përmes një Udhëzimi Administrativ, ka thënë se po synon që të ndryshojë tarfiat e mbrojtjes juridike për të akuzuarit në Hagë.

Në to parashihet rritje e vlerave, por që për avokatët nuk është aq sa duhet, shkak i inflacionit.

Më 18 dhjetor, Haxhiu para gazetarëve, kishte deklaruar se Ministria e Drejtësisë ka kompetenca vetëm që të trajtojë kërkesat e familjarëve e po ashtu të mbulojë aspektin financiar të ekipit mbrojtës.

“Ministria e Drejtësisë për çfarëdo veprimi ka mundësitë minimale. Përveç që mund të ketë deklarime publike në kuptimin procedural/formal s’ka asnjë përgjegjësi dhe jo rastësisht edhe në kohën kur është votuar Gjykata Speciale të gjitha këto aspekte që sot diskutohen pas disa vjetëve, ne i kemi përmendur edhe në atë kohë, pra rreziqet që mund të vijnë”, ka thënë Haxhiu.

“Sa i përket ministrisë së Drejtësisë drejtpërdrejt s’ka asnjë mandat përveç se të merremi me kërkesat e familjarëve dhe po ashtu të mbulojmë aspektin financiar të ekipit mbrojtës”.

Për çka po akuzohen Thaçi dhe të tjerët?

Ndaj ish-presidentit të Kosovës, Hashim Thaçi, ish-kreut të Partisë Demokratike të Kosovës, Kadri Veseli, ish-anëtarit të Shtabit të Përgjithshëm të UÇK-së, Rexhep Selimi dhe ish-zëdhënësit të UÇK-së, Jakup Krasniqit rëndojnë akuzat për krime lufte dhe krime kundër njerëzimit.

Që nga nëntori i vitit 2020 ata gjenden në paraburgim në Hagë dhe janë deklaruar të pafajshëm për akuzat që rëndojnë ndaj tyre.

Sipas aktakuzës fillestare, Thaçi, Veseli, Krasniqi dhe Selimi dyshohen për veprat penale që kanë të bëjnë me krime lufte: ndalim të paligjshëm ose arbitrar, trajtim mizor, torturë dhe vrasje të paligjshme dhe krime kundër njerëzimit: burgosje, akte të tjera çnjerëzore, zhdukje me forcë të personave dhe përndjekje, të cilat, sipas Dhomave të Specializuara, janë kryer midis marsit të vitit 1998 dhe shtatorit 1999.

Krimet pretendohet se janë kryer në disa lokacione të Kosovës dhe në veri të Shqipërisë.

Më 10 maj, Prokuroria e Specializuar ka paraqitur tri kategori ndryshimesh në aktakuzën ndaj Thaçit dhe ish-udhëheqësve të tjerë të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.

Sipas versionit të ndryshuar të aktakuzës, në fshatrat Budakovë dhe Semetishtë të Suharekës, dyshohet që ndërmjet 4 qershorit 1998 dhe shtatorit 1998, të paktën 12 persona janë ndaluar në qendra ndalimi.

Po ashtu, në aktakuzë thuhet se në fund në fund të qershorit dhe fillim të korrikut të vitit 1999,pjesëtarë të UÇK-së ndaluan “të paktën tre persona pa proces të rregullt ligjor në një seli të UÇK-së, të vendosur në ndërtesën e një ish-shkolle dhe konvikti në Gjilan”.

Dhomat e Specializuara dhe Zyra e Prokurorit të Specializuar – që ndryshe njihen edhe si Gjykata Speciale – hetojnë krimet e pretenduara të pjesëtarëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, të kryera kundër pakicave etnike dhe rivalëve politikë që nga janari i vitit 1998 deri në dhjetor të vitit 2000.

Këto krime të pretenduara përmenden në një raport të Këshillit të Evropës, të vitit 2011, autor i të cilit është senatori zviceran, Dick Marty.

 

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore