Lajme

Haxhiu: Ne veç e paguajmë Gjykatën Speciale, s’kemi kompetenca të tjera


Ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu.

Ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu, është pyetur për vendimin ndaj Salih Mustafës që u shqiptua nga Gjykata Speciale me 22 vjet burgim, duke thënë se s’mund të jap qëndrime të saj ndaj vendimeve të Speciales.

Ajo ka refuzuar të jap edhe një koment, kur si jursite është pyetur se a ka të drejtë Specialja të shqiptojë dënime me burg të përjetshëm, sic tha kur ishte në vizitën e fundit në Prishtinë, presidentja e këtij institucioni Ekaterina Trëndafilova.

Haxhiu, para gazetarëve, ka deklaruar se Ministria e Drejtësisë ka kompetenca vetëm që të trajtojë kërkesat e familjarëve e po ashtu të mbulojë aspektin financiar të ekipit mbrojtës.

“Ministria e Drejtësisë për çfarëdo veprimi ka mundësitë minimale. Përveç që mund të ketë deklarime publike në kuptimin procedural/formal s’ka asnjë përgjegjësi dhe jo rastësisht edhe në kohën kur është votuar Gjykata Speciale të gjitha këto aspekte që sot diskutohen pas disa vjetëve, ne i kemi përmendur edhe në atë kohë, pra rreziqet që mund të vijnë”, ka thënë Haxhiu.

“Sa i përket ministrisë së Drejtësisë drejtpërdrejt s’ka asnjë mandat përveç se të merremi me kërkesat e familjarëve dhe po ashtu të mbulojmë aspektin financiar të ekipit mbrojtës”.

Ajo tutje ka potencuar se nuk është takuar me kryetaren e Gjykatës Speciale, Ekaterina Trendafilova, kur kjo e fundit ishte në Prishtinë. “E ka takuar zëvendësministri im Blerim Sallahu”.

Ajo është pyetur edhe për mundësinë e ekstradimit të Milan Radojiçiç-it, kriminelit serb nga Kosova, duke thënë se s’presin reflektim nga shteti i Serbisë, por presion nga Bashkimi Evropian për Serbinë.

“Serbia nuk i ka dorëzuar nga kriminelët e luftës, por, as ata që në kohë të paqes kanë kryer sulme terroriste në territorin e Kosovës. S’presim reflektim nga Serbia, veçanërisht nëse nuk ka presion ndërkombëtar apo trysni ndërkombëtare që të dorëzohen terroristet. Edhe zgjedhjet e fundit që u mbajtën në Serbi tregojnë se është një shtet autokratik”.

Haxhiu, derisa ka folur për reformimin e Këshillit Prokurorial të Kosovës, e ka akuzuar këtë institucion për pazare me pozita.

“Ende pa nisur procesi, dihen emrat kush do të jetë ku. Kjo nuk është demokratike, është veprim i grupeve të interesit, pazareve brenda Këshillit për t’i mbajtur në ato pozita edhe më gjatë. Konsideroj se këto janë veprimet e fundit të KPK-së, sepse reforma në drejtësi është në rrugë të mbarë”, është shprehur ajo.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore