Lajme

Tetë pretendues për policë përjashtohen, dalin pozitivë në testet për droga


Foto nga ceremonia e betimit të policëve, gjatë viteve të kaluara.

13 persona nga 1 mijë që synonin të merrnin pozitën e kadetit në Policinë e Kosovës, kanë rezultuar të jenë pozitivë në përdorimin e drogës.

Pas testimit, tetë prej tyre u përjashtuan nga procesi i rekrutimit, ndërsa për këto raste tashmë janë përfshirë edhe gjykatat.

Lajmin e ka bërë të ditur drejtori i klinikës së Biokimisë në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës (QKUK), Shemsi Veseli, i cili ka theksuar se të njëjtit kanë dalë pozitivë në testet për amfetaminë dhe disa lloje të tjera të substancave narkotike.

“Në grupin e parë prej 426 personash, në muajin janar, tetë kanë rezultuar pozitivë, kurse sa i takon grupit në muajin mars, prej 519 personash, pozitivë kanë rezultuar pesë”.

“Duhet përmendur se në grupin e parë kanë dalë kryesisht pozitivë në amfetaminë, ndërsa në grupin e dytë ka qenë një laramani substancash”, thotë Veseli për Radio Evropën e Lirë.

Ndërsa, dy prej kandidatëve për kadetë, të cilët u përjashtuan nga procesi i rekrutimit, tashmë kanë ngritur padi në gjykata kundër Policisë së Kosovës.

Për t’u pranuar në Policinë e Kosovës, kandidatët për kadetë duhet t’u nënshtrohen disa kontrollave përfshirë testet për disa lloje të drogave, ato mjekësore si dhe psikologjike.

Këto teste deri në fund të vitit 2023, ishin kryer në institucione private, mirëpo pas një marrëveshje mes Policisë së Kosovës dhe Shërbimit Spitalor Klinik Universitar të Kosovës (ShSKUK), ato kanë kaluar në institucione shtetërore.

Aktualisht në këtë institucion janë rreth 9 mijë pjesëtarë me grada të ndryshme.

Ajo numëron mbi 9.000 pjesëtarë me grada të ndryshme.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore