Lajme

Tetë kosovarë në pranga, mashtruan gjermanët me “call center”


Tetë personave në Prishtinë e Ferizaj u janë vënë prangat nën dyshimin se mashtruan qytetarë gjermanë përmes një platforme të “Call Center”.

Në bashkëpunim me prokurorë të Prokurorisë së Përgjithshme në Bamberg të Gjermanisë, Prokuroria e Kosovës bashkë me policinë kanë realizuar një aksion ku kanë bastisur 17 lokacione të ndryshme në Prishtinë e Ferizaj.

Pas bastisjeve u arrestuan tetë persona të dyshuar se janë të përfshirë në veprën kriminale të “Mashtrimit” si formë e krimit të organizuar.

Prokuroria Speciale njofton se “personat e dyshuar në këtë rast kanë joshur dhe mashtruar qytetarët e ndryshëm nga Gjermania përmes platformave online “Call Center” duke iu ofruar për të investuar në aksione të ndryshme, si dhe në kriptovaluta që në këtë rast kanë qenë platforma fiktive dhe të dyshimtit kanë përvetësuar shuma të mëdha të hollash”, thuhet në njoftimin e Prokurorisë Speciale.

Gjatë kontrollit të lokacioneve në këtë operacion deri më tani janë gjetur dhe sekuestruar: 6 vetura, 149.300 euro kesh, dhe një numër i konsiderueshëm i kompjuterëve, Serverëve dhe telefonave mobil e të cilët janë shfrytëzuar për kryerjen e veprës penale.

Gjithashtu në cilësi të provave materiale është sekuestruar edhe dokumentacion i nevojshëm që do të përdoren në procedurat e mëtutjeshme.

Të arrestuarit janë në mbajtje dhe pritet të dalin para gjyqtarit.

Këtij operacioni i ka paraprirë një hetim i përbashkët në mes të Prokurorisë Speciale të Republikës së Kosovës dhe Prokurorisë së Përgjithshme në Bamberg të Gjermanisë.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore