Kosova

Tërhiqet Qeveria për Ligjin për Zgjedhje – seanca për zgjedhjen e Presidentit pritet të mbahet këtë të shtunë


Seanca për zgjedhjen e Presidentit të Kosovës pritet të mbahet këtë të shtunë. Këtë e ka konfirmuar për Albanian Post një deputet i Lëvizjes Vetëvendosje, i cili ka dashur të mbetet anonim. Ndërkohë, Kryesia e Kuvendit do të mblidhet në orën 14:30.

Lëvizja Vetëvendosje dhe Qeveria janë tërhequr nga iniciativa për ndryshime të shpejta në Ligjin për Zgjedhje, të iniciuar të premten.

Ushtruesi i detyrës së presidentit të Kosovës, Glauk Konjufca, ka njoftuar se pas një takimi me kryeministrin Albin Kurtin dhe pretenduesen për presidente, Vjosa Osmani, janë marrë vesh që mazhoranca të garantojë të mos bëjë veprime pa u konsultuar me opozitën, e që opozita të mos e bojkotojë procesin e zgjedhjes së presidentit, me qëllim të shmangen zgjedhjet.

“Për ta krijuar një atmosferë të domosdoshme mirëbesimi para se të hyjmë në këtë proces, ata më premtuan dhe garantuan që gjithçka ka të bëjë me ligjin për zgjedhjet do të jetë pjesë e një procesi të ardhshëm dialogimi mes mazhorancës dhe opozitës dhe se bashkë do ta bëjmë dhe përmbyllim reformën zgjedhore”, tha Konjufca.

“Kështu që, pas vullnetit të qartë që e shprehu mbrëmë opozita me votën e tyre në Kuvendin e Kosovës, nuk mbetet tjetër veçse të sigurohemi që mazhoranca e Kuvendit të garantojë që mos bëjë asnjë veprim pa u konsultuar me opozitën në këtë aspekt, kurse opozita që nuk do ta bojkotojë procesin e zgjedhjes së Presidentin, me qëllim të shmangies së zgjedhjeve të përsëritura”, thuhet në komunikatën zyrtare”.

Ky vendim është marrë sipas kryetarit të Kuvendit, pas takimit të tij me kryeministrin e Kosovës, Albin Kurtin dhe kandidaten për Presidente të Kosovës, Vjosa Osmanin.

“Kam diskutuar me ta mbi rëndësinë e kompletimit të kësaj faze të tretë të krijimit të institucioneve tona. Pamundësia që brenda afateve kushtetuese ta zgjedhim Presidentin e ri e çon vendin tonë në zgjedhje të reja. Askush nuk dëshiron që Kosova të hyjë në zgjedhje të reja, duke krijuar pasiguri kushtetuese dhe duke humbur shumë kohë. Republika e Kosovës ka nevojë për stabilitet politik e institucional dhe qeverisje demokratike bazuar në vullnetin elektoral të qytetarëve”.

Të premten në mbrëmje ka dështuar nisma e Lëvizjes Vetëvendosje për ta kaluar në procedurë të përshpejtuar Ligjin për Zgjedhjet, pasi votuan vetëm 65 deputetë për dhe 39 ishin kundër.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore