Lajme

Tensioni Rusi-Ukrainë: Bisedimet për Rusinë “pa rrugëdalje” – Polonia paralajmërime për luftë


Ministri i Jashtëm i Polonisë, Zbigniew Rau, deklaroi të enjten e 13 janarit se Evropa ishte më afër luftës se kurrë – në 30 vitet e fundit.

Kjo, pasi Rusia dha një vlerësim të zymtë të përpjekjeve diplomatike për të zbutur tensionet mbi Ukrainën.

Për diplomacinë ruse, bisedimet po shkojnë drejt një qorrsokaku.

Ata janë përpjekur të bindin Perëndimin që të ndalojë Ukrainën për t’u bashkuar me NATO-n.

Gjatë këtyre ditëve, në Vjenë po zhvillohen bisedimet me vendet pjesëmarrëse në Organizatën për Sigurinë dhe Bashkëpunimin në Evropë (OSBE).

Rau, gjatë fjalës së tij, përmendi tensionet në Ukrainë, Gjeorgji, Armeni dhe Moldavi.

Zëvendësministri i Jashtëm, Sergei Ryabkov, tha në një intervistë për televizionin RTVI se specialistët ushtarakë rusë po i ofronin opsione presidentit rus Vladimir Putin.

Kjo, në rast se situata rreth Ukrainës përkeqësohej, por diplomacisë duhet t’i jepet një shans.

Për të, bisedimet me Shtetet e Bashkuara në Gjenevë të hënën dhe me NATO-n në Bruksel të mërkurën kishin treguar se kishte një “ngërç ose dallim në qasje”.

NATO-Rusi

NATO – Rusia zhvilluan takimin e tyre të parë pas më shumë se dy viteve.

Këshilli NATO-Rusi (NRC) u mblodh të mërkurën e 12 janarit në Bruksel për herë të parë që nga korriku i vitit 2019.

Bisedimet erdhën pas një sërë takimesh të profilit të lartë midis zyrtarëve rusë dhe atyre perëndimorë.

SHBA-të dhe aleatët e saj u ulën në një tryezë me të dërguarit rusë – në mes të tensioneve të rritura për grumbullimin e trupave ruse pranë Ukrainës.

NATO-ja tha se ishte gati për më shumë bisedime me Moskën.

Çfarë u tha nga NATO?

Duke informuar gazetarët pas takimit, Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Jens Stoltenberg tha se bisedimet shënuan një “moment përcaktues për sigurinë evropiane”.

Stoltenberg u shpreh se, takimi katër-orësh, i fokusuar kryesisht në situatën “në dhe rreth Ukrainës”, ishte një takim i vështirë dhe “i drejtpërdrejtë”.

“Dallimet tona nuk do të jenë të lehta për t’u kapërcyer”, tha ai, duke shtuar se është një shenjë pozitive që të 30-të aleatët e NATO-s u ulën me Rusinë pas dy vjetësh.

Pavarësisht dallimeve të tyre, palët shprehën nevojën për dialog të mëtejshëm për të kërkuar mënyra “konstruktive” për zgjidhjen e krizës.

Çfarë tha Rusia?

Ndërsa bisedimet po zhvilloheshin në Bruksel, zëdhënësi i Kremlinit, Dmitry Peskov, u tha gazetarëve në Moskë se Rusia nuk po jepte ultimatume.

“Ne nuk po negociojmë nga një pozicion i forcës, nuk ka dhe as nuk mund të ketë vend për ultimatume këtu”, tha Peskov.

Kërkesat e Rusisë, të zbuluara në dhjetor, synojnë të frenojnë SHBA-në dhe NATO-n në ish-Bashkimin Sovjetik dhe Evropën Lindore – duke thënë se aleanca e udhëhequr nga SHBA-të nuk duhet të pranojë Ukrainën ose Gjeorgjinë, si anëtarë të rinj ose të krijojë baza në vendet ish-sovjetike.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore