Lajme

“Tensionet në Veri” – liberalizimi i vizave largohet nga agjenda


Ilustrim

Propozimi për liberalizimin e vizave për Kosovës, u hoq nga agjenda e takimit të ditës së mërkurë të ambasadorëve të vendeve anëtare të Bashkimit Evropian.

Kështu të paktën ka njoftuar Presidenca Çeke. Arsyet për këtë janë politike dhe lidhen me situatën në Veri të Kosovës.

“Për shkak të zhvillimeve politike në veri të Kosovës, ta kemi këtë pikë në agjendën e COREPER-it (Komiteti i Përfaqësuesve të Përhershëm të Qeverive të Shteteve Anëtare në Bashkimin Evropian) nuk është ideale”, ka thënë Presicenda çeke e BE-së për Albanian Post.

Sipas saj, diskutimi për këtë çështje do të mbahet më 30 nëntor.

“Presidenca çeke mban Ballkanin Perëndimor lart në agjendën e saj, veçanërisht tani para samitit të BE-së dhe Ballkanit Perëndimor. Çështja e liberalizimit të vizave për Kosovën është në procedurë të brendshëm të Këshillit”, thuhet më tej në përgjigjen e Presidencës çeke për AP.

“Bëjmë thirrje për një deesaklim të menjëhershëm të situatës aktuale në Kosovës në lidhje me targate  veturave”.

Ndryshe një ditë më parë përfaqësues të vendeve anëtare të BE-së u pajtuan me propozimin që liberalizimi i vizave për Kosovën të hyjë në fuqi më 1 janar të vitit 2024.

Kjo datë ishte kërkesë e Spanjës – njërit prej pesë vendeve të BE-së që nuk e njeh ende pavarësinë e Kosovës.

Paraprakisht, Republika Çeke – e cila aktualisht udhëheq presidencën gjashtëmujore të BE-së – kërkoi që liberalizimi i vizave për Kosovën të fuqizohet më 1 dhjetor të vitit 2023.

Por, ky propozim nuk kaloi në një takim të grupit punues të BE-së për vizat, që u mbajt javën e kaluar, pasi Spanja e më pas edhe Sllovakia dhe Suedia paraqitën vërejtje dhe kërkuan, siç thanë, sqarime shtesë. Arsyet e tyre nuk u bënë të qarta.

Sipas propozimit të miratuar të martën, “hyrja në fuqi e liberalizimit të vizave për qytetarët e Kosovës do të nisë në kohën kur të jetë funksional sistemi i udhëtimit ETIAS, por jo më vonë se më 1 janar të vitit 2024”.

Tensionet mes Kosovës dhe Serbisë janë rritur prej se Qeveria e Kosovës ka nisur më 1 nëntor zbatimin e planit të saj të shkallëzuar për konvertimin e makinave me targa të paligjshme serbe në ato RKS.

Mu për këtë arsye në Bruksel të hënë u mbajt takimi i nivelit të lartë ndërmjet kryeministrit të Kosovës, Albin Kurtit dhe presidentit të Serbisë, Aleksandër Vuçiç, i cili pas 8 orë bisedimesh përfundoi pa rezultat konkret.

Në anën tjetër Zëvendës-kryeministri i Kosovës dhe formalisht krye-negociatori i Kosovës në bisedimet me Serbinë, Besnik Bislimi, të mërkurën pritet të niset për në Bruksel, ku do të ketë takim me emisarin e Bashkimit Evropian për dialogun, Miroslav Lajçak.

Udhëtimi, siç mëson Albanian Post nga burimet në Bruksel, vjen në kuadër të përpjekjeve dy ditore për të gjetur një zgjidhje rreth çështjeve të targave.

Ishte edhe vetë zëdhënësi i Bashkimit Evropian që në një përgjigje të tij për Albanian Post deklaroi se dyditëshi i shtyrjes do shfrytëzohet për takime.

Bislimi pritet të niset për Bruksel, takim me Lajçak-un

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore