Lajme

“Tension për Asociacion” PSD me aksion për takimin e Brukselit


Aksioni i PSD-së te objekti i Qeverisë së Kosovës

Një tavolinë takimi, me dy udhëheqësit e dialogut Kosovë-Serbi në të dhe dy nivele diskutimesh, ishte përshkrimi i takimit të sotëm në Bruksel në mes të Albin Kurtit dhe Aleksandar Vuçiçit, nga Partia Socialdemokrate.

“Tension për Asociacion”, shkruan në krye të këtij baneri i cili është vendosur të hënën në mesditë në objektin e Qeverisë së Kosovës nga aktivistët e kësaj partie në Kosovë.

Dardan Molliqaj, kryetari i PSD-së

Pas aksionit simbolik, kryetari i PSD-së, Dardan Molliqaj, ka thënë për medie se tensionet në veri kanë pasur një synim, formimin e Asociacionit.

Sipas tij, Kurti e Viçiçi janë dukur sikur janë në konflikt, por që në Bruksel do të nënshkruajnë marrëveshje.

“Ajo që shihet në ilustrim është e vërteta që ka ndodhur në dialogun Kosovë-Serbi që ka kaluar nga dialogu për marrëveshje finale në pranimin e Asociacionit. Të gjitha tensionet në veri, kanë qenë tensione për krijimin e Asociacionit. Dialog më të mbyllur, më jo demokratik më jo transparent, nuk ka pasur kurrë në Kosovë. Qytetarët dhe deputetët, nuk e dinë se çfarë po diskutohet e as çfarë po nënshkruhet. Kurti dhe Vuçiçi gjatë gjithë kohës janë dukur se janë në konflikt, por në Bruksel kanë nënshkruar marrëveshje. Pra, neve na u është dhënë imazhi i konfliktit, e Vuçiçit koncesioni”, tha Molliqaj.

Ai shtoi se shefi i ekzekutivit, me nënshkrimin e Asociacionit, ka shkelur vullnetin e 200 mijë qytetarëve.

“Nuk është se ne duam ta kundërshtojmë këtë marrëveshje, por ajo nuk ka njohje në qendër, as njohjen e 5 vendeve të BE-së që nuk e njohin Kosovën, vetëm Asociacionin. Kurti e ka shkelur vullnetin e 200 mijë qytetarëve që kanë nënshkruar peticionin kundër Asociacionit dhe të gjithë aktivistëve që kanë protestuar kundër. Diçka që s’është bërë për 7 vite, kryeministri Kurti po e bën”, tha Molliqaj.

“Sot Kurti e pranon marrëveshjen në të cilën në qendër e ka Asociacionin dhe qytetarët dhe deputetët nuk e dinë me saktësi se cila është ajo marrëveshje”.

“Mos harroni se Kurti nuk ka mandat për ta themeluar Asociacionin, me këtë Kurti po e shkelë vullnetin e qytetarëve. Nuk mundesh sot ta festosh ditëlindjen e Astrit Deharit, e nesër të shkosh në Bruksel e ta shkelësh kauzën e tij për të cilën ai ka vdekur”, ka shtuar ai.

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti dhe Presidenti i Serbisë, Aleksandër Vuçiç do të takohen këtë të hënë në Bruksel, ku pritet të miratojnë një marrëveshje për normalizimin e marrëdhënieve të tensionuara ndërmjet dy shteteve.

Marrëveshja e dytë për normalizim të marrëdhënieve, pas asaj të vitit 2013, me të cilën Serbia faktikisht e pranon realitetin e Kosovës shtet të pavarur, por nuk e njeh formalisht.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore