Lajme

Rikujtim: Çfarë thoshte “korniza e re” e dialogut, e publikuar me 18 shtator?


Pjese nga dokumenti

Me 18 shtator për herë të parë ekskluzivisht Albanian Post pati publikuar “kornizën e re” të bisedimeve Kosovë – Serbi që brenda kishte edhe një marrëveshje të rëndësishme.

Fjalia e parë e tekstit të para 5 muajve thoshte: “Në vitin 2023 duhet të nënshkruhet marrëveshja e dytë për normalizim të marrëdhënieve, pas asaj të vitit 2013, me të cilën Serbia faktikisht e pranon realitetin e Kosovës shtet të pavarur, por nuk e njeh formalisht”.

Teksti prezantonte një makro-perspektiv të dizajnuar pas angazhimit të këshilltarëve të presidentit Emmanuel Macron dhe kancelarit Olaf Scholz, të cilin e kishte siguruar Albanian Post.

“Në një fazë të mëvonshme, hipotetikisht pas 10 vitesh, atëherë kur BE-ja është e gatshme të zgjerohet dhe ta përfshijë Ballkanin perëndimor, arrihet marrëveshja për njohje të ndërsjellë, si parakusht i të dy shteteve për anëtarësim në BE”, thuhet në atë makro-perspektivë të publikuar atëherë.

“Korniza e re” të cilën e posedonte Albanian Post ishte propozimi i ri i ardhur direkt nga përfshirja e Macron e Scholz në procesin e dialogut, sepse siç thuhej në dokument “Kosova e Serbia në vete nuk do të mund ta zgjidhin kurrë problemin”.

Dokumenti prej katër faqesh, i cili e shpjegonte logjikën prapa kornizës së re, përmbante vizionin 10 vjeçar të zgjidhjes së problemit.

Ekskluzive, “korniza e re” në dialog: Marrëveshje përmbajtësore vitin e ardhshëm, finalja pas 10 vjetësh – Kosova fiton njohje nga 5-shja e BE’së, anëtarësim në organizata; Serbia përfiton ndihma masive

Vizioni i dialogut, një makro-perspektivë – çfarë tregonte?

Kjo pjesë tregonte në tri pika se çfarë parashihet të ndodhë në 10 vjetët e ardhme nëse pranohet marrëveshja. Zhvillimet aktuale shiheshin si vijimësi e angazhimit të BE-së, në dialogun e nisur një dekadë më parë.

“2013, marrëveshja e parë për normalizimin e raporteve. 2023, marrëveshja e dytë për normalizimin e raporteve (pranimi faktik i pavarësisë së Kosovës kundrejt një akti formal të njohjes). 2033, marrëveshja e tretë për normalizimin e raporteve (njohja e ndërsjellë formale), pak para se gjashtë shtetet e Ballkanit Perëndimor t’i bashkohen BE-së”, shkruhej në dokumentet në të cilat Albanian Post kishte siguruar qasje.

Në pikën e parë potencohej se “Një normalizim substancial i raporteve duhet të arrihet deri në mes të vitit 2023”.

Më pas vazhdohej me pikën e dytë.

“Kosova dhe Serbia janë dy realitetet të ndara legale dhe politike që duhet të njihen si të tilla nga të gjitha palët në procesin e dialogut. ‘Të gjitha palët’ janë Prishtina (Kosova), Beogradi (Serbia) dhe Brukseli (BE, që nënkupton të gjitha shtetet e BE-së, përfshirë edhe jo njohësit)”.

Kurse pika e tjetër sqaronte pozicionin e Serbisë.

“Serbia nuk do të jetë e gatshme t’i bashkohet BE-së pa një normalizim komplet të raporteve politike, legale dhe diplomatike me Kosovën. Gjithsesi, duke pasur parasysh që pranimi i Serbisë në BE është akoma larg, në këtë fazë, Serbisë nuk do t’i kërkohet që ligjërisht ta njohë Kosovën”. Sipas burimeve të AP, ky pozicion është rrjedhojë e faktit që, aktualisht, BE-ja nuk është e gatshme as të shqyrtojë një anëtarësim të përshpejtuar për Serbinë, rrjedhimisht edhe për vendet tjera të Ballkanit perëndimor.

Prandaj, në pikën e katërt saktësohej se “Tani për tani, në vend të njohjes, Serbia duhet ta pranojë realitetin e Kosovës si një realitet i veçantë politik dhe legal”.

Para se të kalohet në shpjegimin e “termave praktikë”, jepej një vërejtje.

Dokumenti sqaronte se “Esenca këtu është përdorimi i drejtë i semantikës: pranimi (acceptance) i pavarësisë së Kosovës kundrejt njohjes (recognition) së pavarësisë së Kosovës”.

Shpjegohej edhe çfarë nënkupton pranimi (acceptance) i pavarësisë i ndarë në tri pika.

“Në terma faktik, Kosova dhe Serbia duhet të normalizojnë tërësisht raportet, duke mundësuar lëvizjen bilaterale të njerëzve dhe mallrave.”, thotë pika e parë.

“Ky normalizim gjithashtu duhet që të reflektojë në raportet regjionale. Me fjalë të tjera, ndërlidhshmëria, zhvillimi socio-ekonomik, fqinjësia e mirë, dhe të dhënat digjitale. Tregu i Përbashkët Rajonal i promovuar nga Këshilli Rajonal për Bashkëpunim, bazuar në katër liritë e BE-së dhe çuarja e rajonit drejt Tregut të Vetëm të Përbashkët të BE-së”, thuhet në pikën e dytë.

Siç tregonte Albanian Post në tekst, Gjermania dhe Franca insistonin në këtë pikë. Aty thuhej edhe se këto dy shtete të fuqishme, shtylla të BE-së, kanë harmonizuar politikën e tyre kundrejt Ballkanit perëndimor.

“Franca qëndron fuqishëm prapa Gjermanisë në qëllimin e saj për vitalizim dhe sukses të plotë të Procesit të Berlinit, ndërkaq Gjermania qëndron fuqishëm prapa Francës në vizionin e kësaj të fundit për një politikë të kujdesshme të zgjerimit kundrejt Ballkanit perëndimor. Franca dhe Gjermania, ia kanë bërë të qartë Kosovës dhe Serbisë që brenda 2022 duan sa më shumë marrëveshje praktike, në mes të dy palëve, dhe që mundësojnë rigjallërimin e suksesshëm të Procesit të Berlinit”.

Kurse pika e tretë thoshte se “Duke e pranuar Kosovën si një realitet i ndarë politik dhe legal, Serbia do të marrë një pozicion pasiv dhe nuk do ta kundërshtojë më anëtarësimin e Kosovës në organizata ndërkombëtare”.

Sipas burimeve të Albanian Post atëherë, moskundërshtimi aktiv i anëtarësimit të Kosovës në organizata ndërkombëtare, ishte një kërkesë specifike dhe shumë e fuqishme drejtuar Serbisë.

Pas shpjegimit të këtyre pikave dokumenti sqaronte pozicionin e BE-së si të tërë dhe shteteve veç e veç në raport me statusin e Kosovës.

Aty parashikohej edhe anëtarësimi i Kosovës në organizata ndërkombëtare dhe ky rrugëtim kalonte nëpër katër faza, por paraprakisht konstatohej se “Pozicioni pasiv i Serbisë nuk e zgjidhë përfundimisht problemin”.

“Anëtarësimi i Kosovës në Organizatën e Kombeve të Bashkuara varet nga vetoja e Rusisë në Këshillin e Sigurimit. Gjithsesi, derisa BE-ja dhe SHBA-të të zgjidhin çështjet e tyre me Rusinë, pas marrëveshjes së dytë për normalizim të raporteve, anëtarësimi i Kosovës në organizata ndërkombëtare do të shkojë përmes këtyre fazave”.

Sipas propozimit, faza e parë ishte “Kosova bëhet anëtare e Këshillit të Evropës”. Faza e dytë “Anëtarësimi në Interpol dhe UNESCO”. “Faza e tretë, Fillimi i bisedimeve për pranim në NATO, aplikimi për anëtarësim në BE” dhe “Faza e katërt: Anëtarësimi në OKB”.

Krejt në fund, shpjegohej se çfarë përfitojnë të dy vendet nëse e nënshkruajnë marrëveshjen dhe cilat do të ishin pasojat nëse nuk arrihet akordi.

Sa i përket Kosovës, brenda harkut kohor deri te marrëveshje e radhës, thuhej se ajo “merr njohjen e pesë shteteve të BE-së, duke zhbllokuar perspektivën për anëtarësim në NATO dhe BE”, kurse “Serbia merr një ndihmë financiare masive dhe një asistencë ekonomike si dhe do të njihet si forca që udhëheqë ekonomikisht dhe politikisht rajonin”.

Meqë Kosova nuk ka as liberalizim vizash aktualisht dhe është praktikisht e izoluar, pasojat e mos nënshkrimit kanë të bëjnë më shumë me qeverinë sesa me vetë shtetin. Dokumenti e vendoste theksin te izolimi i plotë i qeverisë së Kurtit, si një formë presioni që do të ndikonte në jetëgjatësinë e qeverisë.

Ndërsa, nëse Beogradi nuk e pranon, atëherë pason “Izolim ekonomik dhe financiar” dhe gjithashtu theksohej se “Pesë shtetet jo njohëse do ta braktisin eventualisht Serbinë dhe do t’u bashkohen shteteve të tjera që e kanë njohur Kosovën. Pavarësisht rezultatit, BE-ja do të flas me një zë”.

“Pas zhvillimeve në Ukrainë, çështja e unitetit të BE-së, karshi Kosovës dhe Serbisë, është kthyer në thembrën e Akilit për vetë BE-në, prandaj Franca dhe Gjermania janë të vendosura në demonstrim praktik, politik dhe legal, të unitetit evropian”, thoshte teksti.

“Pra, Serbia është vendosur para një pozicioni, ku i bëhet e qartë që, në rast të kundërshtimit, do të humbë si ndihmën shumë të nevojshme ekonomike dhe politike të BE-së ashtu edhe përkrahjen e pesë shteteve mos-njohëse”.

Dokumenti, siç sqarohet në fillim, ishte një makro perspektivë, e hartuar si draft shpjegues të dinamikave kyçe, dhe nuk merrej me elemente specifike dhe as me marrëveshjet një nga një të arritura deri tash në Bruksel – një nga më problematiket, Asociacioni i Komunave me Shumicë Serbe.

5 muaj pas, publikimi i ka qëndruar në tërësi vërtetësisë së prezantuar me 18 shtator. Secila pikë që përfshinë këtë periudhë kohore është realizuar siç e njoftonte dokumenti.

Tani, me 27 shkurt, pritet formalizmi konkret i paralajmërimit për marrëveshje.

Ekskluzive: Takim historik, pajtim historik, marrëveshje historike

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore