Sport

PSG apo Dortmund, luhet për biletën e parë të finales së Champions League 2023-24


(Photo: Martin Meissner, AP)

UEFA Champions League do të vijë këtë të martë me gjysmëfinalen e dytë mes PSG-së dhe Borussia Dortmund-it. Do të jetë një takim nga i cili do të mësohet emri i skuadrës së parë finaliste të kompeticionit për sezonin 2023-24.

Dueli i sotëm mes francezëve dhe gjermanëve do të luhet në stadiumin “Parc des Princes” në Paris, duke filluar nga ora 21:00. Ndeshja e një jave më parë përfundoi me fitoren minimale, 1-0, të Dortmund-it.

Ky do të jetë takimi i tetë midis PSG-së dhe Dortmund-it në një kompeticion evropian. Bilanci aktual është nga dy fitore dhe tre barazime. Katër suksese janë marrë gjithmonë nga skuadra që luan në shtëpi.

Dortmund është përballur me PSG-në jashtë shtëpisë në Evropë në tre raste, pa fituar apo shënuar në asnjë nga këto ndeshje. Në shtator, në fazën e grupeve të këtij sezoni, ata u mundën 2-0 nga francezët në “Parc des Princes” dhe patën vetëm një goditje në portë gjatë ndeshjes.

Paris Saint-Germain synon të arrijë një finale të Kupës Evropiane/UEFA Champions League për herë të dytë në historinë e tyre (më parë në 2019-20), ndërsa Borussia Dortmund mund ta bëjë këtë për herë të tretë pas 1996-97 dhe 2012-13.

Pas një fitoreje 6-4 në shtëpi dhe jashtë kundër Barcelona-s në raundin e kaluar, Paris Saint-Germain mund të bëhet skuadra e parë që arrin në finale pasi u mund në ndeshjet e para të çerekfinaleve dhe gjysmëfinaleve të një edicioni të vetëm të Champions League.

PSG-ja ka dështuar të shënojë vetëm në dy nga 38 ndeshjet e fundit të Champions-it në shtëpi (93 gola të shënuar në këtë periudhë). I vetmi kundërshtar që ka mbajtur portën e pastër ndaj parisienëve në këtë seri është Bayern Munich (1-0 në shkurt 2023 dhe prill 2021).

Kylian Mbappe ka shënuar 32 gola në 31 ndeshjet në shtëpi në të cilat ka filluar në Champions League (21 gola, 11 asistime). Megjithatë, vetëm një herë ai nuk ka arritur të shënojë në të dyja ndeshjet e një faze me eliminim direkt të kompeticionit kur filloi (kundër Real Madrid-it në raundin e 16-të të sezonit 2017-18).

Jadon Sancho ka kompletuar më shumë driblime (22) se çdo lojtar tjetër në fazën eliminatore të Champions League, 13 prej tyre janë bërë në ndeshjen e parë kundër Paris Saint-Germain. Më së shumti driblime nga një lojtar në një ndeshje të fazës eliminatore të kompeticionit që nga Neymar kundër Atalanta-s në gusht 2020 (15 për PSG).

Formacionet e mundshme

PSG: Donnarumma; Hakimi, Marquinhos, Beraldo, Mendes; Ruiz, Vitinha, Zaire-Emery; Dembele, Ramos, Mbappe.

Borussia Dortmund: Kobel; Ryerson, Hummels, Schlotterbeck, Maatsen; Sabitzer, Can; Sancho, Brandt, Adeyemi; Fullkrug.

Çfarë ndodhi në ndeshjen e parë: Dortmund 1-0 PSG

Gjermanët bindën me lojën e tyre dhe përtej një 10-minutëshi të furishëm të parizienëve në fillim të pjesës së dytë, verdhezinjtë e dominuan lojën dhe patën më shumë raste shënimi.

Ndeshja nisi e qetë, me dy skuadra tejet të kujdesshme.

Në minutën e 36-ë, do të ishte një top i lëshuar nga Nico Schlotterback, ai i cili do të kapte në befasi gjithë mbrojtjen e francezëve dhe do të nxirrte Fullkrug përballë Donnarumës, ku gjermani do të nxirrte nga repertori i tij një të majtë të fuqishme për ta çuar topin në rrjetë.

Dy raste të mira i pati edhe Sabitzer nga Dortmundi, por pa mundur të shënojë.

Teksa, “rreziku” i vetëm nga PSG erdhi me dy raste të Ousmane Dembele, të cilat nuk e shënjestruan portën.

Gjithsesi pjesa e dytë do të niste me një Paris më të karikuar dhe dy shtylla të njëpasnjëshme do të trondisnin portën e Kobel, ku fillimisht Mbappe e më tej Hakimi, do të shënjestronin njëri shtyllën e djathtë e tjetri të majtën, por pa mundur të shënojnë.

Gjermanët po kalonin një 10-minutësh ferri të mbyllur në zonën e tyre. Por parizienët nuk ditën të shrytëzonin asnjë rast për të çuar topin në rrjetë.

Më tej, loja u zhvillua dinamike, me raste nga të dy anët, ku më flagranti ishte një dalje e Julian Brandt ballë për ballë me Donnaruma, pas një asisti të Sancho, por që u bllokua mrekullisht nga Marquinos me një ndërhyrje vendimtare.

Me lojën nën kontroll në minutat e fundit, Dortmund priti vetëm fërshëllimën përfundimtare, për të marrë një rezultat pozitiv nga gjysmëfinalja e parë, që e favorizon në ndeshjen e kthimit në kryeqytetin francez.

Fitorja mori edhe tjetër vlerë ndërkohë, pasi verdhezinjtëi i siguruan Gjermanisë vendin e pestë në Champions Lague sezonin e ardhshëm në formatin e ri, falë koeficientit. Vend i pestë, i cili paradoksalisht zihet në Bundesliga nga Dortmundi në këtë çast.

Real Madrid – Bayern Munich: Gjysmëfinalja tjetër e Champions League

Gjysmëfinalja e dytë e Champions League nga e cila do të mësohet edhe emri i skuadrës tjetër finaliste të kompeticionit do të jetë ajo mes Real Madrid-it dhe Bayern Munich-ut. Ndeshja do të zhvillohet të mërkurën në “Santiago Bernabeu”, duke filluar nga ora 21:00.

Dueli i një jave më parë, i zhvilluar në “Allianz Arena”, përfundoi në barazim 2-2.

Ishte një lojë me dy fytyra për Real-in, me madrilenët që gjatë pjesës së parë duket se kopjuan lojën që zhvilluan ndaj Manchester City-t në Angli.

Ndonëse Bayern-i po luante në sulm dhe iu afrua golit që më minutën e dytë, mjaftoi një pasim magjik nga Toni Kross që Vinicius Junior të ndëshkonte vendasit dhe të kalonte Real-in në avantazh. Goli i brazilianit do të mbyllte pjesën e parë me fitoren 0-1 të spanjollëve.

Pjesa e dytë do të ishte një histori krejtësisht ndryshe.

Bayern arriti të përmbyste përkohësisht shifrat falë një aksioni personal nga Leroy Sane dhe një 11 metërshi nga Harry Kane.

Nga goli i shpikur nga Sane te penalltia naive e shkaktuar nga Lucas Vasquez dhe e konvertuar në gol nga Kane ishin vetëm katër minuta.

Megjithatë, pasi pësoi golin e dytë skuadra e Carlo Ancelotti-t duket se gjeti zjarrin për të sulmuar dhe do të gjente sërish golin disa minuta më vonë.

Në minutën e 82, mbrojtësi bavarez, Kim Min-jae, i cili gaboi në mbulimin e Vini Jr. te goli i parë, shkaktoi faull brenda zonës së rreptësisë ndaj Rodrygo-s.

Gjyqtari francez, Clement Turpin drejtoi gishtin nga pika e bardhë pas faullit te Kim dhe Vini realizoi një minutë më vonë. Kësaj radhe për të vendosur barazpeshën në 2-2.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com

Lajmet kryesore