Lajme

Tenderët njëburimorë të Qeverisë Kurti, Abdixiku: Debatit në Kuvend i ikën, por të vërtetës s’munden


Lumir Abdixhiku

Lumir Abdixhiku, Kryetar i Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), ka reaguar në lidhje me tenderët njëburimor që janë dhënë nga Qeveria e Albin Kurtit, për të cilët u diskutua edhe në kuvend të enjten, por që pushteti, pra deputetët e Lëvizjes Vetëvendosje lëshuan sallën.

Përmes një postimi në Facebook, Abdixhiku tha se plotë 781 tenderë, në vlerë prej 209 milion eurove, janë dhënë nga “Pushteti i Shpresës”, duke iu referuar qeverisë Kurti, “me negocim të drejtpërdrejtë!”.

“Pa procedura, pa konkurrencë, me muhabet të drejtpërdrejtë! Pra, e thërrasin një biznes që e zgjedhin vet, dhe i japin tender! Kaq thjeshtë! Nuk ka garë, nuk ka çmim të lirë, ka marrëveshje një me një!”.

“Kështu janë ndarë plot 209 milion euro; 781 herë! 30 milion vitin e parë; 70 milion në të dytin, 109 në të tretin. Sa më gjatë në pushtet, aq më i mësuar zanati!”, shtoi.

Ai theksoi se në Korporatën Energjetike të Kosovës (KEK), 13 tenderë me negocim të drejtpërdrejtë, i janë dhënë një biznesi të njëjtë.

“13 herë, pa procedurë, pa konkurrencë, me zgjedhje të drejtpërdrejtë 6 milion euro biznesit të njëjtë. Jo një herë, jo dy herë, jo tre herë por plot 13 herë!”.

Po ashtu, ai përmendi edhe rastet në Ministrinë e Punevë të Brendshme, e cila drejtohet nga Xhelal Sveçla, e cila për shërbime të IT-së, janë dhënë “15 milion euro me negocim, pa procedurë e pa konkurrencë, i janë dhënë një biznesi me një tender”.

“Plot 15 milion euro me muhabet të drejtpërdrejtë; në një fushë me dhjetra biznese me shërbim të njëjtë!”.

Lideri i opozitës theksoi se pushteti debatit në kuvend i ka ikur, por, sipas tij, “të vërtetës nuk kanë nga t’i ikin!”.

“Këto, dhe kontratat tjera njëburimore, do t’i trajtojmë ditët në vijim. Në Kuvend dhe jashtë tij; le të kuptojmë se si prapa perdes së populizmit dhe arrogancës së të paprekurit fshihet një tenderomani selektive dhe sistematike si asnjëherë më parë!”, përfundoi.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore