Kosova

“Të zgjedhim Osmanin presidente, pastaj me opozitën punojmë për reformën zgjedhore”


Albin Kurti, kryeministër i Kosovës

“Mbrëmë fitoi opozita, sonte duhet të fitojë shteti”.

Kështu ka shkruar në Facebook kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, pak minuta para fillimit të seancës për zgjedhjen e presidentit.

“Zgjedhja e Presidentes së Republikës është fitore për Kosovën. Ajo nuk është kundër askujt dhe është për të gjithë. Me zgjedhjen e Presidentes përmbyllet hapi i tretë i konstituimit të institucioneve të legjislaturës së tetë. Pas fitores me 50,28% të votave në zgjedhjet e 14 shkurtit, ne jemi shumica në Kuvendin e Kosovës. Mbrëmë deputetët tanë ishin shumica, por nuk ishin 2/3 e të pranishmëve”, tha Kurti.

“Nuk arritëm të procedojmë me projektligjin që ua mundëson mërgatës të votojë në ambasadat e konsullatat tona. Ky Projektligj nuk kishte të bënte me reformën zgjedhore. Sidoqoftë, ai sot nuk është aktual. Sot kemi seancën për zgjedhjen Presidente të zonjës Vjosa Osmani. Menjëherë pas kësaj formojmë komisionin ku bashkë me opozitën punojmë, pajtohemi dhe sivjet e përmbyllim reformën zgjedhore”.

Kurti i ka bërë thirrje opozitës që të votohet për Vjosa Osmanin për presidente, duke thënë se menjëherë pas kësaj do të punojë bashkë me ta për të përmbyllur reformën zgjedhore.

Me fillim prej orës 18:00 pritet të mbahet seanca për zgjedhjen e presidentit.

Por, shefi i Grupit Parlamentar të Lidhjes Demokratike të Kosovës, Arben Gashi, ka thënë se Qeveria duhet të tërheq propozimin për ndryshimin e Ligjit për Zgjedhjet.

“Ne kemi kërkuar nga Kurti e Kuvendi që të tërhiqet projektligji i propozuar. Kërkesa jonë nuk është për teke, por për herë të parë një shumicë parlamentare tenton në mënyrë arbitrare të ndryshoj rregulla”, tha Gashi.

“Pa zgjidh këtë problem ne nuk marrim pjesë në seancë”.

Në dy rundet e votimit për presidentin kërkohet përkrahja e 2/3 e deputetëve, ndërsa në rundin e tretë kërkohen minimalisht 61 vota por me kushtin që në votim të marrin pjesë së paku 80 deputetë.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore