Shqipëria

Të martën pritet të mbërrijë në atdhe trupi i ish-presidentit Bujar Nishani


Trupi i ish-Presidentit të Republikës, Bujar Nishani, pritet të mbërrijë në atdhe të martën e 31 majit.

Stafi mjekësor dhe të afërmit e të ndjerit po merren me procedurat e posaçme që mundësojnë sjelljen e trupit të tij atdhe, ku pritet t’i bëhen edhe nderimet e fundit.

Ish-Presidenti Nishani ndërroi jetë të shtunën në Spitalin Universitar të Berlinit, Charite.

Mësohet se procedurat mund të përfundojnë gjatë ditës së hënë dhe po të hënën rreth mbrëmjes trupi i tij do të niset drejt Tiranës.

Ai do të përcillet për në banesën e fundit nëpërmjet një ceremonie zyrtare.

Këshilli i Ministrave pritet të marrë një vendim të posaçëm, për t’i bërë ish-kreut të shtetit nderimet e duhura.

Bujar Nishani ndërroi jetë teksa po kurohej në spitalin e Berlinit. Shendeti i tij u përkeqësua për shkak të insuficiencës polmonare të theksuar, çka shkaktoi vdekjen.

Pati një numër të madh mesazhesh ngushëllimi, jo vetëm nga politika shqiptare, por edhe nga institucione të rajonit dhe ato ndërkombëtare.

Për ndarjen e tij nga jeta, u kushtua vëmendje e veçantë edhe nga mediat ndërkombëtare.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore