Shqipëria

Politika shqiptare kujton ish-Presidentin Bujar Nishani


Presidenti i Republikës së Shqipërisë, Ilir Meta “me trishtim dhe hidhërim të thellë”, ka reaguar për ndarjen nga jeta të ish-kreut të shtetit Bujar Nishani.

“Ngushëllimet më të ndjera për bashkëshorten Odeta, fëmijët Ersi dhe Fiona, dhe të afërmit për këtë humbje të madhe. Presidenti Nishani do të kujtohet gjithnjë si një personalitet me vlera të rralla të një udhëheqësi me integritet dhe vizion”, shkruan Meta.

Sipas tij, kontributi i tij për Shqipërinë dhe demokracinë do të kujtohet përherë me respekt.

“I paharruar kujtimi i President Nishanit. Të prehet në paqen e merituar!”.

Mesazh ngushëllimi ka ardhur dhe nga kryeministri i vendit, Edi Rama.

“U prehtë në paqe! Ngushëllime familjes”.

Gjithashtu dhe kryetarja e Kuvendit, Lindita Nikolla, ka shprehur ngushëllime për ndarjen nga jetë të Nishanit.

 

“Me dëshpërim mora lajmin e hidhur për ndarjen e parakohshme nga jeta të ish Presidentit të Republikës, Bujar Nishani. Si President, deputet dhe në detyra të tjera të larta shtetërore, Bujar Nishani i shërbeu vendit me përkushtim dhe për shërbimin e tij do të kujtohet e respektohet nga qytetarët”.

Sekretari i Përgjithshëm i Partisë Socialiste të Shqipërisë, Damian Gjiknuri, përmes një mesazhi në Facebook ka shprehur ngushëllimet e tij për ndarjen nga jeta të ish-kreut të shtetit.

“Një lajm i dhimbshëm ndarja nga jeta e Presidentit Bujar Nishani! Përtej bindjeve dhe pozicioneve të ndryshme politike, ai ishte një personalitet që diti të përcjellë gjithmonë vlerat më të mira njerëzore, qetësinë dhe maturinë!”

Gjithashtu dhe kryetari i Grupit Parlamentar të PD-së, Enkelejd Alibeaj ka reaguar për ndarjen nga jeta të Nishanit.

Lajm i trishtë, për familjen, miqtë dhe kolegët, ai i ndarjes së parakohshme nga jeta e Presidentit Nishani! Kontributet e tij në ndërtimin e shtetit shqiptar shënuan hapa pozitivë në çdo detyrë publike që iu besua e ku shërbeu me dinjitet, si deputet, ministër dhe President”.

Sipas tij, Shqipëria humbi para kohe një njeri të paqtë, një opozitar të vendosur dhe një shtetar të urtë.

Dhe, ish-presidenti Bamir Topi, ka shprehur ngushëllimet për ndarjen nga jeta të Nishanit.

“Me trishtim përjetova lajmin e ndarjes nga jeta ne mënyrë te parakohshme te Presidentit Nishani. Përgjatë një njohje e bashkëpunimi gati 30 vjeçar ruaj konsiderata te veçanta te një njeriu të përkushtuar në të gjitha detyrat që ka kryer me dinjitet njerëzor e profesionalizëm”.

Një ndër reagimet e para pas ndarjes nga jeta të ish-presidentit erdhi nga kryetari i Këshillit Kombëtar të Partisë Demokratike, Edi Paloka.

“Një lajm i hidhur ka pak që u konfirmua. Bujar Nishani, ish-President i Republikës, ministër dhe funksionar në disa poste të rëndësishme të PD-së në vite, ka ndërruar jetë! Një fatkeqësi për familjen dhe për gjithë demokratët”.

Për Palokën, “respekti ynë për gjithçka dha për PD-në dhe për vendin, do e shoqërojë kurdoherë”.

Gjithashtu dhe anëtari i Këshillit Kombëtar të PD-së, Bledi Kasmi ka shkruar për ndarjen nga jeta të Nishanit.

“Sot e votova për të qenë pjesë e Kryesisë, me shpresën se do të rikthehej prapë mes nesh, por Zoti paska pasur të tjera plane për Bujarin Nishanin, një burrë shtetas dinjitoz, i thjeshtë dhe demokrat me zemër të madhe”.

“I paharruar në kujtimet tona”

Sekretari i Përgjithshëm i PD-së, Gazment Bardhi ka shprehur ngushëllime për ndarjen nga jeta.

“Sot për familjen tonë të madhe është një ditë zie. Ndarja e parakohshme nga jeta e Presidentit Bujar Nishani na ka tronditur të gjithëve. Ngushëllimet më të ndjera familjes, të afërmve dhe miqve, të prehet në paqe dhe përherë i paharruar në kujtimet tona!”.

Ish-kryetari i PD-së, Lulzim Basha e ka cilësuar si trishtues lajmin e ndarjes së parakohshme nga jeta të Presidentit Bujar Nishani.

“Ngushëllimet më të ndjera familjes, miqve dhe të afërmve të tij”.

Deputeti demokrat, Flamur Noka në fjalën e tij ngushëlluese ka thënë se President Nishani do të mbetet një figurë e paharruar e Partisë Demokratike dhe e shtetit shqiptar.

“Bujar Nishani ishte një shtetar dinjitoz, një demokrat parimor dhe një mik i vyer për të gjithë. Familja humbi bashkëshortin dhe babain shembullor. Partia Demokratike humbi një figurë të spikatur, me kontribute e merita historike”.

Gjithashtu dhe anëtarja e Partisë Demokratike, Edith Harxhi, ka reaguar për vdekjen e Nishanit, duke sjellë në kujtesë kohën kur “presidenti Nishani si pjesë e grupit Për PD-në, më shoqëroi në fushatën elektorale për kreun e PD-së dhe me shumë guxim bëri bashkë me mua 6 mijë km në të gjithë Shqipërinë për një kohë rekord dy javore në shumë degë të Partisë Demokratike në vend”.

“Në kapacitetin e Presidentit të Republikës, Nishani ishte një burrë shteti i vërtetë që drejtoi Presidencën me shumë ndershmëri dhe ndjenjë të lartë për çështjen kombëtare shqiptare. Mungesa e tij do të ndihet për shumë kohë në Partinë Demokratike të Shqipërisë”.

Nga radhët e Partisë Socialiste, një reagim ka ardhur nga deputeti socialist Petro Koçi.

“Me keqardhje mësova ndarjen nga jeta të Bujar Nishanit, ish President i Republikës. Kemi bashkëpunuar në vitet 2005-2009 në drejtim të Komisionit të Sigurisë Kombëtare në Kuvend”.
Sipas tij, ishte politikan serioz, një figurë e rëndësishme në PD.

Ndarja nga jeta

Ish-Presidenti i Republikës, Bujar Nishani, ndërroi jetë, pasi prej muajsh ishte i shtruar rëndë në një spital në Gjermani dhe kaloi në vdekje klinike pa mundësi rikthimi.

Familja e Nishanit është ndodhur pranë tij në çastet e fundit.

Situata shëndetësore e ish-kreut të shtetit u rëndua pas infektimit të tij me COVID-19 dy muaj më parë. Ai vuante nga një sëmundje autoimune në mëlçi dhe nuk arriti t’i tejkalojë pasojat që virusi famëkeq i ka lënë në organizëm.

Fillimisht, Nishani u shtrua në Senatorium dhe pas rehabilitimit të tij fillestar, ai u rikthye në spital për shkak se simptomat post-COVID e patën lënë me shenja pneumonie në mushkëri.

Gjendja e tij u stabilizuar për pak kohë. Por, më pas, ajo u përkeqësua.

Më 23 prill, ai u nis drejt Gjermanisë për mjekim, ku edhe dha frymën e fundit.

Bujar Nishani lindi më 29 shtator 1966 dhe mandatin presidencial, ai e mori me fillim në 24 korrik 2012 dhe e përmbylli më 24 korrik 2017.

Lajmi në përditësim

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com

Lajmet kryesore