Lajme

Të hënën arrijnë mbi 50 mijë doza të vaksinës Pfizer në Kosovë


Ilustrim

Të hënën e gjashtë shtatorit në Kosovë pritet të arrijnë mbi 50 mijë doza të vaksinës anti-COVID nga kompania Pfizer.

Për Albanian Post, zëdhënësi i Ministrisë së Shëndetësisë, Faik Hoti, ka thënë se këto vaksina anti-COVID do të vijnë në mbrëmjen e së hënës.

“Ministria e Shëndetësisë furnizohet çdo të hënë me vaksina nga kontrata e nënshkruar me kompaninë Pfizer. Sot do të arrijnë edhe 53 mijë doza të vaksinës anti-COVID nga e njëjta kompani”, ka thënë ai.

Sipas tij, si rezultat i marrëveshjes së MSH-së me kompaninë Pfizer deri më tani kanë arritur rreth 600 mijë vaksina.

Hoti ka theksuar se kontingjenti me numër më të madh të dozave nga SHBA-të pritet të vijë së shpejti kur përfshihen 503 mijë sosh.

Derisa në anën tjetër, ai ka potencuar se procesi i vaksinimit është duke shkuar me rregull dhe pa ndonjë problem.

“Procesi po ecën mirë, brenda ditës zakonisht kemi rreth 20 mijë të vaksinuar duke theksuar se këtë muaj ka pasur interesim më të madh nga ana e qytetarëve. Vetëm gjatë muajit gusht të vitit 2021 janë dhënë mbi 400 mijë doza”, shtoi ai.

Në Kosovë deri më tani janë përdorur vetëm dy lloje të vaksinave, AstraZeneca dhe Pfizer.

Derisa dozat e AstraZenecas kanë ardhur kryesisht ndërmjet programit COVAX dhe si donacione direkte nga shtetet e tjera evropiane.

Ndërsa, një pjesë e vaksinave Pfizer kanë ardhur si donacion i Bashkimit Evropian ndërkaq një pjesë tjetër janë blerë nga Qeveria e Kosovës.

Instituti Kombëtar i Shëndetit Publik në Kosovë gjatë ditës së diel ka raportuar 24 persona të vdekur nga COVID-19 dhe 890 mijë persona të infektuar.

Numri i të infektuarve vjen nga 10 mijë e 614 mostra të marra nga Shërbimi Spitalor dhe Klinik Universitar i Kosovës.

Sipas IKSHPK-së gjatë 24 orëve të fundit janë shëruar gjithsejtë një mijë e 712 persona.

Raste aktive me COVID-19, janë gjithsejtë 25 mijë e 688.

Numri i të vaksinuarve brenda 24 orëve të fundit është gjithsejtë 19 mijë e 526. Numri i të vaksinuarve me vetëm dozën e parë të vaksinës anti-COVID është gjithsejtë 615 mijë e 156 ndërsa numri i të vaksinuarve me të dy dozat është gjithsejtë 307 mijë e 467.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore