Lajme

Të frikësuar moralin ushtarak, merren masa penale në Rusi për shpalosje informacioni


Ilustrim.

Shërbimi i Brendshëm i Inteligjencës së Rusisë (FSB), së fundmi ka miratuar një listë të informacioneve që nuk prek direkt sekretin shtetëror të Rusisë, por, marrja e informacioneve të tilla nga shtetet e huaja, qytetarët e huaj dhe organizatat ndërkombëtare, mund të “përdoren” kundër sigurisë së Rusisë, thuhet në një artikull të publikuar nga “The Insider”.

Këto ndryshime besohet se janë bërë për shkak të skandaleve të shumta brenda ushtrisë ruse, keqtrajtimeve të ushtarakëve dhe dhunës ndaj tyre nga vetë aparati shtetërorë i Rusisë, të cilat vazhdimisht janë publikuar nëpër mediat ndërkombëtare.

Organizatat që merren me të drejtat e njeriut në Rusi, e veçanërisht organizata që merret me të drejtat e ushtarëve “Nënat e Ushtarëve të Shën Petersburgut” do të ndalojnë të mbrojnë publikisht rekrutët dhe ushtarët rusë me kontratë, për shkak të miratimit nga FSB të një “liste informacioni”, mbledhja dhe shpërndarja e të cilave mund të çojë në përgjegjësi penale. Andaj, edhe puna e mbrojtësve të të drejtave të njeriut në Rusi, siç janë avokatët dhe gazetarët, do të pamundësohet për shkak të trendit të ri.

Sipas “Nënave të Ushtarëve”, në vitin 2021, për herë të parë në shtatë vitet e fundit, numri i rasteve të identifikuara me rrezik filloi të rritet në ushtrinë ruse, e cila vazhdon të jetë e mbyllur nga shoqëria dhe mundohet t’i fsheh problemet e sajë.

Tani situata mund të përkeqësohet edhe më shumë, pasi që sipas urdhrit nga FSB thuhet se kushdo që transferon informacione jashtë vendit në lidhje me respektimin e ligjit dhe klimën morale dhe psikologjike në trupat ruse, mund ta marrë statusin e “agjentit të huaj”.

“Agjentë të huaj” mund të konsiderohen ata persona apo organizata të cilët transmetojnë informacione si në vijim:

Informacione mbi vlerësimin dhe parashikimet e zhvillimit të situatës ushtarako-politike dhe strategjike, informacione në lidhje me vendndodhjen e Forcave të Armatosura të Federatës Ruse dhe njësive të sajë vartëse, informacione në lidhje mobilizimin, trajnimet dhe mobilizimet luftarake të trupave, informacione në lidhje me respektimin e sundimit të ligjit dhe “klimën morale dhe psikologjike” të trupave, informacione mbi përdorimin e teknologjive të reja dhe inteligjencës artificiale në krijimin e armëve të reja dhe pajisjeve speciale.

Po ashtu, informacione mbi programet e synuara të Roscosmos, informacione mbi procedurën, kohën dhe mënyrën e financimit të kompanisë, informacione që lidhen me problemet, përfshirë ato financiare dhe ekonomike, që pengojnë zhvillimin e Roscosmos, informacione mbi krijimin dhe zbatimin e teknologjive hapësinore në interes të mbrojtjes së sigurisë nacionale të vendit, informacione mbi zhvillimin e energjisë bërthamore në hapësirë, informacione që shpalosin të dhëna fillestare për përfundimin e traktateve ndërkombëtare në fushën e aktiviteteve hapësinore.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore