Lajme

“Të dyja palët po pësojnë për shkak të bllokadave në kufi”, thotë Oda Ekonomike e Serbisë


Foto: REL.

Këshilltari i kryetarit të Odës Ekonomike të Serbisë, Nenad Gjurgjeviç, konsideron se bllokadat në pikat kufitare mes Serbisë dhe Kosovës kanë ndikim të keq tek të dyja palët.

Sipas tij, bashkëpunimi ekonomik mes Serbisë dhe Kosovës është i një rëndësie të madhe.

Gjurgjeviç, gjatë një interviste për Radio Evropën e Lirë theksoi se shkëmbimi dypalësh gjatë vitit 2022 ishte në vlerë prej 520 milionë euro.

“Ky numër tregon se tregu në Kosovë është më i rëndësishmi për ne në Ballkanin Perëndimor, pas tregut në Bosnje e Hercegovinë”, tha ai.

Ndër të tjera, bllokadat ai i sheh me efekt te kompanitë dhe qytetarët në të dyja shtetet.

“Kompanitë pësojnë për shkak të punës së parealizuar dhe për shkak të pritjeve, por po ashtu edhe qytetarët, veçmas ata në Kosovë, që blejnë mallra nga Serbia dhe kompanitë e tyre përdorin lëndën e parë, makineri, për të prodhuar mallra në Kosovë, por po ashtu tregu i tyre, eksporti, që më pas kontribuon në ekonominë e Kosovës”.

Ndërsa thotë se njëra ndër “pjesët më të suksesshme” të Marrëveshjes së Brukselit të vitit 2013, ishte intensifikimi i bashkëpunimit ekonomik mes dy shteteve.

“Shifrat konfirmojnë se ka një interes të madh në bashkëpunimin mes Serbisë dhe Kosovës dhe kompanive tona. Praktikisht, segmenti më i suksesshëm i asaj marrëveshjeje tani është nën ndikimin negativ të politikës”.

Oda Ekonomike e Serbisë ka dënuar edhe bllokimin e shkaktuar nga shoferët e kamionëve, por edhe të bllokimin e hyrjes në Kosovë të transportuesve që kanë targa serbe.

Që nga 14 qershori, shoferët e kamionëve me targa serbe, që nuk po lejohen të hyjnë në Kosovë për shkak të vendimit të Qeverisë së Kosovës për të ndaluar importin e mallrave nga Serbia, kanë protestuar për të tretën ditë me radhë në pikat kufitare në Jarinjë, Merdare dhe Bërnjak.

Po ashtu, përfaqësuesit e Odës Ekonomike serbe dhe të Odës Ekonomike të Kosovës u takuan më 16 qershor në Podgoricë.

Ata kishin bërë thirrje ndaj Bashkimit Evropian dhe Shteteve të Bashkuara të Amerikës (SHBA), që të bëjnë gjithçka për të ruajtur paqen dhe stabilitetin në Ballkanin Perëndimor.

Më 21 qershor, në pikëkalimi kufitar në Jarinje u lejuan të kalonin për në Serbi vetëm makinat private.

Në Merdarë nuk janë lejuar që të kalojnë autobusët, ndërkaq pikëkalimi në Bërnjak vazhdon të jetë i mbyllur për transportuesit e mallrave në të dyja drejtimet.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore