Lajme

Taylor Swift dominon AMA…sërish


Taylor Swift është fituesja e padiskutueshme e American Music Awards, ku me fitore në gjashtë kategori, e ka çuar totalin e trofeve të saj të AMA-ve në 40.

Swift triumfoi në kategoritë më të rëndësishme si artistja e vitit, artistja pop më e mirë, albumi më i mirë pop, apo videoja më e mirë muzikore për këngën “All too well”.

Kështu, ajo bëhet edhe një ndër artistet me më së shumti fitore në historinë e AMA, duke vërtetuar se është ndër kantautoret më të ndjekura dhe të pëlqyera nga publiku gjatë dy dekadave të fundit.

Ndër artistët meshkuj, Harry Styles ishte më i spikaturi, pasi fitoi çmimet për artistin më të mirë pop dhe këngën më të mirë pop, për hitin e tij “As it was”.

Artisti më i mirë i ri u shpall këngëtarja Dove Cameron, 26-vjeçarja e cila lëvron artin e muzikës dhe aktrimit njëkohësisht, si pjesë e disa serive komike të Disney Channel.

Kënga më e mirë rock u shpall “Beggin” nga italianët Maneskin, të cilët e vijojnë suksesin e tyre botëror pas ngjitjes në skenën e Eurovision, ku u shpallën fitues në vitin 2020.

Koreanët e BTS mbeten të padiskutueshëm në kategorinë e K-Pop.

Ndërsa, Shqipëria, në një lloj mënyre përfaqësohet, pasi bashkëpunimi më i mirë i vitit është shpallur remix-i i Elton John dhe Dua Lipa, “Cold Heart”, nga PNAU.

Në rrymën e hip-hop-it, Kendrick Lamar për meshkujt dhe Nicki Minaj, për femrat, kanë qenë dy fituesit e spikatur.

Ndërsa, artisti më i mirë rock, u shpall Machine Gun Kelly.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore