Shqipëria

Taulant Balla betohet si ministër i Brendshëm


Taulant Balla është zyrtarisht ministri i ri i Brendshëm i Shqipërisë, pasi u betua përpara Presidentit të Republikës, Bajram Begaj, paraditen e 15 korrikut.

Me një ceremoni të thjeshtë me pak të pranishëm, Balla mori zyrtarisht detyrën, të cilën dy ditë më parë e vulosi edhe Parlamenti i Shqipërisë me votimin, pas dekretimit të bërë nga presidenti Begaj.

Sipas votimit në Parlament, paraardhësi i tij, Bledi Çuçi është shkarkuar me 84 vota pro, tre kundër dhe tre abstenim nga detyra.

Teksa, Balla, është votëbesuar me 75 vota pro, 16 deputetë të opozitës, të cilët kanë ngritur kartonin e kuq dhe një abstenim.

Më 10 korrik, ishte Presidenti i Republikës, Bajram Begaj, ai i cili e dekretoi Ballën në postin e ri, pas emërimit që i kishte bërë këtij të fundit kryeministri Edi Rama.

Balla merr kështu vendin e Çuçit në këtë pozitë.

Vlen të theksohet se kjo do të jetë përvoja e parë ekzekutive për Ballën në CV-në e tij, ku do të përpiqet të përmirësojë shërbimin në çështjet e rendit dhe sigurisë në vend.

Kandidatura e tij si ministër i Brendshëm u përfol në dhjetor të vitit 2020 pas dorëzimit të dorëheqjes së Sandër Lleshit si drejtues i këtij institucioni.

I lindur më 12 gusht të vitit 1977, Balla ka qenë anëtar i Kabinetit të kryeministrit Fatos Nano.

Prej vitit 2005 është deputet në Kuvendin e Shqipërisë si përfaqësues i rrethit Librazhd dhe në zgjedhjet e 23 qershorit 2013, Taulant Balla ishte deputeti më i votuar.

Taulant Balla është zëvendës kryetar i Komisionit për Integrimin Evropian të Kuvendit të Shqipërisë dhe prej vitit 2017 është Kryetar i Grupit Parlamentar të Partisë Socialiste të Shqipërisë.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore