Kosova

Taktikat e gabuara dhe gabimet në hapa – Asociacioni nga “s’është temë” në “të themelohet urgjentisht”


Fotografia e punuar nga Albanian Post

Nëse urgjenca për themelimin e Asociacionit të Komunave me Shumicë Serbe është si pasojë e zhvillimeve të fundit në Veri, ashtu siç tha Këshilltari i lartë amerikan i Shtetit, Derek Chollet, gjatë vizitës së tij një ditore në Kosovë, atëherë sipas Visar Ymerit, ish-kryetarit të Lëvizjes Vetëvendosje, Kosova është humbësja më e madh nga taktikat e gabuara të kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti.

Sipas ish-bashkepartiakut të Kurtit, ndërlidhja e nevojës për themelimin e Asociacionit me situatën e krijuar në Veri, gjegjësisht me vakumin institucional të krijuar atje si pasojë e dorëheqjes së serbëve në mënyrë të organizuar nga institucionet e nivelit qendror dhe komunal, e kthen Kosovën në pikën zero, në vitin 2013.

“Atëbotë ishte nënshkruar marrëveshja e parë, e cila sanksiononte themelimin e Asociacionit dhe si kundërvlerë serbët që jetojnë në pjesën veriore të Kosovës kishin filluar të integrohen në institucionet e Kosovës përmes pjesëmarrjes në zgjedhjet lokale e integrimit gradual në polici e gjyqësor. Tash Asociacioni po kërkohet prapë për kthim në institucione”, ka thënë Ymeri për Albanian Post.

Prandaj argumenton më tej analisti politik Ymeri, një renditje e tillë e çështjeve për diskutim shkon në kundërshtim me atë rendin e kërkuar nga Kurti – i cili insistonte që së pari të flitet për marrëveshjen sipas planit franko-gjerman apo siç u pagëzua më vonë si plani evropian, e në kuadër të tij, nëse jo pas, të flitet për Asociacionin.

“Ndërkohë që Vuçiç e kërkonte të kundërtën, Asociacioni para diskutimit për planin dhe para marrëveshjes. Deklaratat e djeshme [të Chollet] më shumë anojnë kah ky rend i gjërave”, pohon ai.

Në anën tjetër, për profesorin universitar në Winchester, Seb Bytyçi, Qeveria e Kosovës do të duhej të vepronte me më shumë finesë në raport me vendimin lidhur me targat, kjo pasi që një gjë e tillë prek një numër më të madh të serbëve, për dallim nga rastet e përndjekjeve individuale të kriminelëve.

“Kjo gjë duhej kuptuar në fillim dhe duhej të merrej parasysh në Veri”, thotë Bytyçi për Albanian Post.

“Politika e Vuçiç’it ‘eskalo-deeskalo’ për t’u paraqitur si faktor stabiliteti është e njohur dhe nëse shpërblehet kjo politik me formimin e Asociacionit, kjo vetëm se do t’i shtojë apetitet e tij. Arsyetimi ligjor për Asociacionin janë marrëveshjet e mëhershme. Kurse arsyetim politik është kërkesa e Serbisë që kjo të bëhet si kusht për dialog. Imponimi ndaj Kosovës është i padrejtë sepse po shpërblehet obstruksioni i Serbisë”, ka argumentuar ai më tej për AP.

Visar Ymeri dhe Seb Bytyçi

Mos ndoshta Kurti insistoi qëllimshëm në çështjen e targave dhe refuzoi shtyrjen e këtij vendimi për 10 muaj pas kërkesës fillestare amerikane në atë mënyrë që pakënaqësia e serbëve e shprehur së fundmi me barrikada të tregohet si pretekst për të arsyetuar domosdoshmërinë e themelimit të Asociacionit?

Sipas Ymerit një gjë e tillë nuk mund të përjashtohet, marrë për bazë nevojën për të kalkuluar për poena politike.

Gjithsesi i njëjti i beson më shumë tezës se Kurti në këtë rast ka bërë një keq-kalkulim të lëvizjeve të tij taktike.

“Kurti nuk do të mund të fshihet prapa situatës në terren për ta arsyetuar kompromisin të cilin pritet ta bëjë. Mendoj që kompromisi i kërkuar është i domosdoshëm dhe Kurti nuk do të gjykohet brenda Kosovës për shkak të lëshimit pe, sepse shumica dërrmuese e forcave politike opozitare në Kosovë kanë qasje shumë më racionale karshi procesit të dialogut se sa që ka Kurti”.

Por, lëshimi pe në këtë rast, shton Ymeri, nuk duhet lejuar të lexohet vetëm si domosdo e kohës.

“Kryeministri e ka për obligim që të jetë i sinqertë me qytetarët e Kosovës për ta treguar arsyen e lëshimit pe, dhe për ta shpjeguar se çka fiton Kosova përmes këtij kompromisi. Ndërkohë që vlerësimi i krejt kësaj situate dhe rezultateve nga kjo duhet të bëhet përmes analizës së sjelljes tonë institucionale dhe momenteve kur kjo e ka dobësuar pozicionin e Kosovës”.

Ymeri, më tej beson fuqishëm se sjellja e papërgjegjshme dhe e pakujdesshme ndaj kërkesave amerikane e Kurtit e ka dobësuar pozicionin e Kosovës në tavolinën e bisedimeve.

“Politikisht kjo sjellje është kritikuar shumë nga partitë opozitare, pikërisht duke e vënë theksin në rëndimin që kjo i bën pozicionit ndërkombëtar të Kosovës që është theksuar shumë nga LDK-ja dhe kryetari i saj. Pra një gjë është ta shohim se çka do të fitojmë nga dialogu tash e tutje. Por po aq e rëndësishme është ta analizojmë politikisht se çka do të kishim fituar nëse kishim vepruar ashtu siç kërkonte opozita, e ashtu siç na këshillonin partnerët tanë amerikan”.

Chollet erdhi në Kosovë në një periudhë përpjekjesh për ri-dinamizimin e dialogut mes Kosovës dhe Serbisë.

Njeriu i cili deri më tash i dërgonte mesazhet e Shteteve të Bashkuara të Amerikës përmes rrjetit socal Twitter, nga ku shpesh shprehte “zhgënjimin” me ekzekutivin kosovar, të mërkurën pati mundësinë që qëndrimet e administratës së Joe Biden rreth situatës politike në rajon t’i përçonte në mënyrë direkte.

Chollet, vizitën e tij e nisi në Presidencën e Kosovës ku takoi presidenten Vjosa Osmani, për të vazhduar më pas në ndërtesën e Qeverisë së Kosovës, ku u prit nga kryeministri Albin Kurti, prapa dyerve të mbyllura.

Osmani e Kurti nuk e permenden, por në një takim me një grup gazetarësh, Chollet tha se SHBA-të presin nga Kosova të përmbushë të gjitha obligimet e saj në dialogun më Serbinë, që përfshijnë edhe themelimin “urgjent” të Asociacionit të komunave me shumicë serbe.

“Kosova duhet të përmbushë të gjitha zotimet në kuadër të dialogut, përfshirë edhe formimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe. Ne besojmë se Asociacioni është një çështje urgjente, është një çështje urgjente në agjendën e dialogut, ka marrë një rëndësi edhe më të madhe pas ngjarjeve të fundit në veri”, tha Chollet.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore