Biznes

Taksa globale mbështetet nga 130 shtete


130 shtete të botës janë pajtuar për vendosjen e një takse korporative prej të paktën 15%, sipas Organizatës Botërore për Bashkëpunim dhe Zhvillim Ekonomik.

Hungaria dhe Irlanda janë pjesë e një grupi të vogël të shteteve që nuk janë pajtuar për vënien e një takse të përgjithshme për korporatat shumëkombëshe.

Qeveria irlandeze ka dhënë mbështetjen e saj për marrëveshjen në parim, duke nënvizuar se “’ka rezerva lidhur me propozimin që minimumi i taksës efektive të jetë në shifrën 15%”.

“Si rrjedhojë e kësaj rezerve, Irlanda nuk mund të jetë pjesë e konsensusit”, thuhej në një deklaratë shtypi të Ministrisë së Financave të Irlandës.

Në anën tjetër, Mathias Cormann, sekretar i OECD-së, e ka vlerësuar lart marrëveshjen e arritur.

“Pas shumë vitesh bisedime, kjo pako historike do të sigurojë që korporatat shumëkombëshe do ta paguajnë atë që duhet të paguajnë kudo”.

“Natyrisht, pakoja nuk e eliminon sistemin e ndryshëm të taksimit, sepse edhe nuk duhet, por vë kufij brenda tij”, sqaroi ai.

Shtetet janë pajtuar në një ndarje më të drejtë të “fitimeve dhe të drejtave të taksimit”, në raport me koporatat e mëdha si Google dhe Amazon.

Sekretarja e Thesairt të SHBA-së, Janet Yellen, e ka quajtur ngjarjen si “ditë historike për diplomacinë ekonomike”.

Ndërkaq, ministri i Financave të Francës, Bruno Le Maire, zhvillimin e ka vlerësuar si “marrëveshje historike dhe ambicioze e paparë në një shekull”.

Mirëpo, zëdhënësi i OXFAM në Francë, Quentin Parrinello, ka deklaruar se marrëveshja i favorizon vendet e pasura, në raport me ato të varfra, ngaqë ka plot hapësira të cilat mund t’i shfrytëzojnë kompanitë e mëdha.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com

Lajmet kryesore