Lajme

Tadiç: Departamenti i Shtetit pengoi iniciativën e Gjingjiç-it për Kosovën – ne gabuam kur dolëm kundër interesave amerikane


Boris Tadiç

Ish-presidenti i Serbisë, Boris Tadiç, deklaroi se zyrtarët amerikanë të Departamentit të Shtetit i kishin thënë atij se do të përpiqeshin të pengonin iniciativën e kryeministrit të atëhershëm serb, Zoran Gjingjiç, për të rishikuar qasjen e politikës serbe ndaj Kosovës.

Në vitin 2003, katër muaj para vrasjes, ish-kryeministri serb kishte paraqitur një “dokument strategjik” për zgjidhjen e çështjes së Kosovës, ku tregonte hapat që Serbia duhet të marrë për të rikthyer Kosovën dhe siç thuhet shpesh, kjo ishte arsyeja që i “hëngri kokën” atij.

Tadiç në një intervistë për Radio Televizionin e Vojvodinës, zbuloi se çfarë kishte paralajmëruar Departamenti i Shtetit në atë kohë: “Mos e lejoni Zoran Gjingjiç-in të mendojë se ne nuk do ta pengojmë iniciativën që ai e krijoi në këtë moment. Ajo iniciativë është kundër interesave tona”.

Ai ka shtuar se fjalët e zyrtarëve amerikanë nuk i kishte kuptuar ndryshe, veçse një “paralajmërim jashtëzakonisht të rëndë”, të cilin ia kishte përcjellur edhe vetë Gjingjiç-it dhe se personalisht, i kishte bërë përshtypje qëndrimi i SHBA-ve në atë kohë.

“Më ka bërë shumë përshtypje fakti që, sipas meje, SHBA-të tashmë kishin bërë një gabim strategjik kur ishte fjala për Serbinë dhe Ballkanin në përgjithësi. Më pas SHBA-të insistuan për pavarësinë e Kosovës”, tha Tadiç.

Ai vlerësoi se ishte gabim i SHBA-ve që nuk hoqën dorë nga doktrina që u krijua para së gjithash nga ngjarjet e luftës së fundit në Kosovë (1999), si dhe nga ideja për të “thyer” të drejtën ndërkombëtare duke krijuar një shtet të ri, siç është Kosova e pavarur.

“Në fund, kjo sigurisht ka pasoja të krijimit të ‘Shqipërisë së Madhe’. Qoftë pas pesë apo dhjetë vjetësh, nuk ka dyshim se do të ketë bashkim. Në fund të fundit, diçka të tillë e ka thënë edhe Edi Rama e Albin Kurti ditë më parë”, tha ish-presidenti serb.

“Mendimi im është se përveç gabimeve tona strategjike, kur kundërshtuam politikën amerikane nga pamaturia e plotë, erdhëm në një situatë ku tani shohim gabime sistematike të SHBA-ve në politikën e jashtme ndaj Ballkanit dhe mendoj se të gjithë do ta paguajmë çmimin në të ardhmen”, shtoi Tadiç.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore