Lajme

Tabloidët e Vuçiçit shpërthejnë paranojë, frikë-ndjellje, nxitje të urrejtjes dhe luftës për situatën në Kosovë


Tabloidët pro-qeveritar të Serbisë

Tabloidët pro-qeveritarë të Serbisë si “Alo.rs”, “Objektiv.rs”, “Kurir.rs”, “Informer”, “Novosti” etj, si instrumente propagandistike dhe të paguar direkt nga krerët shtetëror të Serbisë për të demonizuar gjithkënd që s’pajtohet me regjimin e Vuçiçit, kësaj here betejën e drejtuan kah situata e krijuar në Veri të Kosovës.

Përveç klikueshmërisë së madhe online, këta tabloidë shesin edhe 50 mijë kopje në ditë, siç kishte pohuar për Albanian Post edhe gazetarja e së përditshmes opozitare serbe Danas, Marija Stojanoviç, dhe kishte thënë se tabloidë të tillë kanë ndikim shumë të madh në opinion-bërje brenda Serbisë.

“Me bindje pohoj se këta tabloidë pro-qeveritarë ‘krijojnë’ opinionin publik në një masë shumë të madhe”, kishte thënë ajo për Albanian Post.

Ndërsa edhe redaktori i gazetës investigative KRIK, Stevan Dojçinoviç kishte thënë për Danas se “këta tabloidë është e mundur të të botojnë gjithçfarë gënjeshtrash pa vuajtur asnjë pasojë për to”.

Demonizimi, si misioni primar i këtyre tabloidëve, shkon paralel me frikë-mbjelljen, urrejtjen, nxitjen, poshtërimin e gjithkënd që këta tabloidë shënjestrojnë.

Megjithëse demonizimin dhe fyerjen këta tabloidë e kanë përshkrim pune, dhe karshi Kosovës ajo është bërë gjithmonë, katër ditëve të fundit, vetëm titujt dëshmojnë përmasat e ndjelljes së paranojës tek lexuesit të cilët duan të ndikojnë – dhe gjithsesi se ndikojnë, madje atë në nivel të skajshëm.

“Pesë brigada në gatishmëri për mbrojtur serbët në Kosovë: paramilitarët e Shtetit Falso janë shumë të dobët për forcat tona”, shkruan titull i tabloidit serb Objektiv.

“Plani i tmerrshëm i Prishtinës, ata janë gati për gjithçka, Kurti dëshiron Veriun”, shkruan titulli i tabloidit Alo.rs

“Operacioni në Veri: Inkursioni në Veri është plan për pushtimin e pjeaës Veriore të Kosovës”, shkruan titulli i tabloidit Kurir.

“Rusia deklaron urgjentisht: Qëllimi i shqiptarëve është spatrimi etnik, Amerika dhe BE përfundimisht ti kthjellin të mbrojturit e tyre”, shkruan titulli i tabloidit Informer.rs.

“Dramë në Bërrnjak: Pjesëtarët e ROSU-s sulmuan një serb, KFOR-i u reagoi”, shkroi portali i lajmeve i afërt me qeverinë e Serbisë, Novosti.

Edhe vetë rrjeti social Twitter, të gjitha këto tabloide edhe shumë të tjerë i ka etiketuar si “Media që bashkëpunojnë me Shtetin” dhe ka shpjeguar se këto tiketa u vendoset kur Twitter konstaton se “Një shtet ushtron kontroll mbi përmbajtjen redaktoriale përmes burimeve financiare dhe presionit direkt ose indirekt politik”.

Mediat që Twitter ka klasifikuar dhe renditur si të tilla janë të përditshmet serbe si Sprski Telegraf, Kurir, Informer dhe Politika, dhe kanalet transmetuese televizive si TV Happy, Prva TV dhe B92, portalin online të RTV Pink, si dhe agjensinë e lajmeve Tanjug.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore