Kosova

Sveçla për punën e Përparim Ramës: Vit i humbur për Prishtinën


Përparim Rama dhe Gëzim Sveçla.

Shefi i asamblistëve të Lëvizjes Vetëvendosje në Komunën e Prishtinës, Gëzim Sveçla, e ka cilësuar si të dështuar qeverisjen njëvjeçare të kryetarit, Përparim Rama.

Sipas tij, Rama nuk ka përmbushur asnjë premtim elektoral, kurse për investimet kapitale ka thënë se janë më ulëta se asnjëherë më parë.

“Ne mendojmë që ky është një vit i humbur për Prishtinën. Kur po them që është një vit i humbur për Prishtinën e kam fjalën kryesisht te mospërmbushja e premtimeve dhe atyre të cilat i ka premtuar gjatë fushatës zgjedhore e me të cilat realisht edhe e ka fituar besimin e qytetarëve të Prishtinës. Kemi vitin kur investimet kapitale në Komunën e Prishtinës janë më të ulëtat që janë shënuar ndonjëherë”.

Mirëpo, konsideron se drejtoritë e komunave i kanë përfunduar detyrat e tyre.

“Kemi suficit të madh buxhetor, do të thotë e tëra çfarë mund të themi për këtë vit se ka qenë një vit kur janë bërë disa punë të cilat janë përshkrim i detyrave, d.m.th drejtorit i kanë kryer punët të cilat edhe ashtu i kanë të parapara me ligj, ndërkohë që anën tjetër mungojnë investimet kapitale, mungojnë projektet e mëdha”.

Për punësimet partiake, Sveçla deklaroi se punësimet partiake kanë qenë nga  ana e qeverisjes së Lidhjes Demokratike të Kosovës.

Ai bëri të ditur se tre kryeshef ekzekutiv të ndërmarrjeve publike janë zyrtarë ose ish-zyrtarë të LDK-së, duke përfshirë edhe punësimet e militantëve në drejtori dhe dikastere tjera të komunës

“Po ka pasur punësime partiake, ka pasur emërime partiake që vijnë në kundërshtim me atë çfarë ka deklaruar zoti Rama gjatë fushatës zgjedhore ku ka thënë që ka kaluar koha e personave partiakë në ndërmarrje publike, në fakt ka ndodhur e kundërta, tre kryeshef ekzekutiv të ndërmarrjeve publike komunale janë zyrtarë ose ish-zyrtarë të lartë të subjektit Lidhja Demokratike e Kosovës”.

“Zoti Rama nuk ka arritur që ta largojë politikën nga ndërmarrjet komunale. Njëjtë ka ndodhur edhe në drejtori dhe dikastere tjera të komunës, kemi punësime  të militantëve partiakë të LDK-së dhe PDK-së përmes konsonancave të ndryshme. Me një fjalë po lirisht mund të themi se në Komunën e Prishtinës po ndodhin punësime partiake”, deklaroi ai për agjencinë e lajmeve Ekonomia Online.

Kurse, testimin e unazës e quajti të dështuar, pasi nuk është duke funksionuar si duhet.

“Po testimi i rrugës njëkahëshe u dëshmua në dy testimet e para që nuk po funksionon diçka. Pastaj ndodhi diçka ai testimi i tretë gjatë ditëve të punës mirëpo që fatkeqësisht ndodhi në të njëjtat kondita në të njëjtat kushte pa ndryshuar asgjë nga dy testimet paraprake, dhe çfarë rezultoi ajo e premte ishte dita më e ngarkuar një Prishtinë”.

“Ndërkohë që sa i përket sheshit ne si Lëvizje Vetëvendosje  parimisht nuk jemi kundër shesheve dhe nuk jemi krijimit të hapësirave të reja për këmbësorë. Përkundrazi e favorizojmë këtë ide, mirëpo paralel me krijimin e shesheve duhet krijuar edhe rrugë alternative ku do të zhvillohet komunikacioni”.

Në plan-programin e kryetarit të ri të Prishtinës, Përparim Ramës, për katër vitet e ardhshme figuron ndërtimi i rrugëve, objekteve shkollore, çerdheve, qendrave të mjekësisë familjare, galerisë së qytetit, strehimoreve për qentë endacakë e projekte të tjera.

Për problemin e qenve endacakë, Rama ka paraparë ndërtimin e një strehimoreje.

Në balotazhin e mbajtur më 14 nëntori të 2021, kandidati nga Lidhja Demokratike e Kosovës, Përparim Rama fitoi komunën e Prishtinës në garë me kundërkandidatin e Lëvizjes Vetëvendosje, Arben Vitia.

Sipas rezultateve zyrtare të Komisioni Qendror të Zgjedhjeve (KQZ), Përparim Rama nga LDK-ja ka marrë 51,07 për qind ose 40 mijë e 659 vota.

Ndërsa, Arben Vitia nga LVV ka 48,93 për qind ose 38 mijë e 958 vota.

Kryetari i ri i Prishtinës i sfiduar nga buxheti për realizimin e planprogramit

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore