Kosova

Sveçla: Nuk ka luftëtarë të Kosovës në Ukrainë


Ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla.

Ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla, në një intervistë për Radio Evropa e Lirë ka mohuar çdo mundësi që ndonjë qytetar i Kosovës të jetë bërë pjesë e luftës në Ukrainë.

Madje, ai ka theksuar se institucionet e Kosovës nuk kanë asnjë informacion që ndonjë qytetar i Kosovës të jetë duke luftuar.

“Ne nuk kemi asnjë informacion se asnjë qytetar i Republikës së Kosovës është pjesë e luftës në Ukrainë e për më pak se edhe paskemi viktima nën ta, ashtu siç paskan pas deklaruar agjencitë e [Vladimir] Putinit”, tha ministri Sveçla.

Nga 24 shkurti, Rusia ka publikuar disa të dhëna për numrin e mercenarëve që sipas saj janë rreshtuar krah forcave ukrainase.

Në listën e Ministrisë së Mbrojtjes së Rusisë, thuhet se 156 qytetarë nga Kosova i janë bashkuar luftimeve në Ukrainë.

Tw dhwnat e ministrisë së Mbrojtjes së Rusisë.

Sipas ministrit, të gjitha këto informacione janë propagandë.

“Kjo është në kuadër të propagandës së vazhdueshme të Rusisë me qëllim që të arsyetojë agresionin e saj të padrejtë dhe të paprovokuar në Ukrainë, por edhe që të mobilizojë radhët e veta dhe mbështetësit e saj kundër vendeve demokratike, liridashëse ndër të cilat është edhe Republika e Kosovës”, tha Sveçla.

Ndërkaq, sa i përket sulmeve që po i’u bëhen policisë së Kosovës ministri është deklaruar se personat janë të njohur për organet e rendit si individë të kyçur në aktivitete ilegale.

Sipas tij, Millan Radoiçiç, i cili është në arrati nga organet e Kosovës për rastin “Brezovica”, është njëri ndër krerët e këtyre strukturave.

“Patjetër, Millan Radoiçiç është njëri ndër krerët e kësaj strukture. Tashmë ai është i arratisur, sipas informatave që kemi ndodhet në territorin e Serbisë, por definitivisht që është i kërkuar nga drejtësia në Kosovë, dhe në momentin e parë të mundshëm, ai do të vihet para drejtësisë”.

Lufta në Ukrainë filloi me 24 shkurt kur presidenti rus Putin urdhëroi trupat ushtarake që të futën në territorin ukrainas. Që nga ajo kohë Rusia pretendon se luftës i janë bashkuar rreth shtatëmijë mercenarë të huaj.

Kosova është bërë pjesë e dënimit të pushtimit rus të Ukrainës si dhe është rreshtuar krah shteteve perëndimore duke vendosur sanksione ndaj zyrtarëve dhe shtetit të Rusisë.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore