Lajme

Sveçla: Lufta ndaj ilegaliteteve që cenojnë jetën e qytetarëve s’ka alternativë


Ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla.

Ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla, aksionet e zhvilluara të enjten në disa lokacione i ka konsideruar si të suksesshme.

Ai përmes një shkrimi në rrjetin social ‘Facebook’ ka thënë se lufta ndaj shkelësve të ligjit nuk ka opsion tjetër.

“Dogana e Kosovës bashkë me njësitet policore kufitare po ashtu sot kanë konfiskuar mbi 6 ton mallra të kontrabanduara nga Serbia. Njësitet policore të antidrogës kanë përfunduar me sukses operacionin në Ivajë të Kaçanikut me ç’rast janë konfiskuar mbi 5 kilogramë marihuanë dhe pajisje për mbjelljen dhe kultivimin e substancës narkotike”.

“Po ashtu, në Zveçan, Policia ka konfiskuar pajisje për prodhimin e kriptovalutave në vlerë prej 55 mijë euro dhe substancë narkotike të llojit marihuanë”, ka shkruar Sveçla.

Aksioni në Shtërpcë.

Ndër të tjera, ka përmendur edhe bashkëpunimin me Prokurorinë.

“Policia e Kosovës në bashkëpunim me Prokurorinë ka sekuestruar sot kamerat e vendosura dhe të kontrolluara ilegalisht nga strukturat paralele në Komunën e Shtërpcës, si dhe janë sekuestruar pajisje dhe dosje të ndryshme të tyre”.

Policia e Kosovës të enjten e 7 korrikut ka zbatuar urdhrin e Gjykatës së Ferizajt për bastisjen e katër lokacioneve në Shtërpcë dhe largimin e kamerave të vendosura nga strukturat ilegale.

Ndryshe aksionin e ka konfirmuar për Albanian Post, prokurori Rasim Maloku, duke thënë se është duke u zbatuar një urdhëresë e Gjykatës.

“Po bastisen pesë lokacione që i kontrollojnë strukturat ilegale në Shtërpcë”, tha prokurori shkurt Maloku.

Aksioni në Shtërpcë.

Ndryshe, më 21 dhjetor 2021, në një konferencë për medie, prokurori Rasim Maloku, pati thënë se dyshohet që Bratislav Nikoliç, ish-kryetar i Shtërpcës, ka përfituar mbi 1 milion euro jashtëligjshëm.

Kështu, ky aksion vazhdoi më 6 janar 2022, dhe u zhvillua në disa qytete, kurse cak ishin të përfshirët në hetimin për ndërtimet e paligjshme në Brezovicë.

Nga ky aksion, dy zyrtarë të Ministrisë së Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës  (MMPH), u arrestuan nën dyshimin për korrupsion, derisa pesë qytetarë janë vënë në pranga nën dyshimin e dhënies së ryshfetit.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore