Lajme

Sveçla: Janë regjistruar 471 vetura për 4 ditë sepse në veri s’ka më kriminelë të plotfuqishëm sikurse Radojçiçi


Xhelal Sveçla

Ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla, ka njoftuar nëpërmjet një postimi në “Facebook” se serbët në katër komunat veriore të vendit i janë përgjigjur pozitivisht vendimit të Qeverisë së Kosovës për regjistrimin e veturave nga targat ilegale të lëshuara nga autoritetet serbe në targa RKS të lëshuara nga autoritetet kosovare, duke regjistruar 471 vetura për 4 ditë.

Ai ka thënë se interesimi i serbëve për regjistrimin e veturave sipas ligjeve të Kosovës vjen për shkak se në pjesën veriore të vendit të banuar me shumicë serbe nuk janë më të plotfuqishëm kriminelët sikurse ish-nënkryetari i Listës Sërpska – partia më e madhe e serbëve të Kosovës – Millan Radojçiç apo bashkëpunëtorët e tij sikurse Llune, Mami, Rusi e të ngjajshëm.

“Mund të duket e paimagjinueshme nga perspektiva e para një viti, por sot në 4 komunat e veriut shërbejnë zyrtarë policorë që janë në shërbim të rendit dhe ligjit e në luftim të kontrabandës, grupeve kriminale e terroriste. Se shumica ishin vetë pjesë e krimit e kontrabandës tregon edhe përfshirja e ish-zyrtarëve policorë jo vetëm në rastin e Banjskës”, ka shkruar ai.

Ai ka theksuar se shteti nuk gjunjëzohet nga banditët e as nga grupet kriminale edhe atëherë kur grupe të mirëorganizuara e mbështetura nga Qeveria e Serbisë synojnë terrorizimin e qytetarëve, cënimin e integritetit dhe sovranitetit të Kosovës, derisa ka shtuar se ky rezultat vjen falë angazhimit të pandalshëm të secilit që nuk dorëzohet përballë kërcënimeve.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore