Përballje

Superliga e Kosovës/ Drita mposht Prishtinën në udhëtim


Klasikja e futbollit kosovar, mes Prishtinës dhe Dritës ishte shumë interesante, e cila përfundoi me rezultat 1:2 në të mirë të gjilanasve.

Në fakt, Prishtina e nisi shumë mirë ndeshjen, të cilët kaluan të parët në epërsi në minutën e 34-të me golin e shënuar nga spanjolli Jalen Blesa.

Por, në fund të pjesës së parë, më konkretisht në minutën e 43-të, Drita e barazoi rezultatin, kur Besnik Krasniqi realizoi nga penalltia.

Vetëm dy minuta pasi filloi pjesa e dytë, gjilanasit përmbysën rezultatin, duke shënuar me anë të Blend Baftiu, i cili u asistua nga Almir Ajzeraj.

Deri në fund, Prishtina u mundua të reagonte për ta barazuar rezultatin, por hasi në një mbrojtje të fortë të Dritës, të cilët dolën nga ky takim me pikë të plota.

Pas javës së 21-të, Drita tani është në vendin e parë me 44 pikë, aq sa ka edhe Ballkani i vendit të dytë, por këta të fundit do të luajnë nesër ndeshjen e kësaj xhiroje.

Ndeshje tjetër interesante u zhvillua edhe në Skenderaj, aty ku Gjilani doli me pikë të plota, duke e mposhtur Drenicën me rezultat 1:2.

Ishin mysafirët ata që e nisën ndeshjen në mënyrën më të mirë, kur qysh në minutën e dytë kaluan në epëri me golin e shënuar nga Shend Kelmendi.

Megjithatë, vendasit reaguan gjatë pjesës së parë, kur në minutat shtesë, Besfort Dervishaj e barazoi rezultatin.

Por, gjilanasit nuk u dorëzuan deri në fund dhe në minutën e 84-të e shënuan golin e fitores me anë të Baton Zabergjas.

Me këtë fitore, Gjilani përforcon edhe më shumë vendin e tretë me 32 pikë (sidomos pas humbjes së Prishtinës nga Drita), ndërsa Drenica rrëshqet në vendin e nëntë me 20 pikë.

Ndërkohë, takimi tjetër i ditës, mes Malishevës dhe Ferizajt nuk prodhoi fitues, i cili u mbyll me rezultat 1:1.

Dy golat e këtij takimi u shënuan në fundin e pjesës së parë. Fillimisht Malisheva kaloi në epëri në minutën e 41-të me anë të Ilir Mustafës, ndërsa në minutat shtesë të pjesës së parë, Gentrit Halili barazoi për Ferizajn.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore