Lajme

Super tajfuni në Japoni, 9 milionë njerëzve u kërkohet evakuimi


Nëntë milionë njerëzve u është thënë të largohen nga shtëpitë e tyre pasi Japonia është goditur nga një nga tajfunet më të këqij që vendi ka parë ndonjëherë.

Super tajfuni Nanmadol ka vrarë dy persona dhe ka plagosur pothuajse 90 të tjerë.

Ai goditi Kyushu-n, më jugori nga katër ishujt kryesorë të Japonisë, të dielën në mëngjes dhe do të arrijë në Honshu, ishullin më të madh, në ditët në vijim.

Dhjetra mijëra njerëz e kaluan natën e së dielës në strehimore emergjente dhe pothuajse 350 mijë shtëpi janë pa energji elektrike.

Transporti dhe biznesi janë ndërprerë dhe vendi është i përgatitur për përmbytje të mëdha dhe rrëshqitje dheu.

Shërbimet e trenave, tragetet dhe qindra fluturime janë anuluar. Shumë dyqane dhe biznese të tjera janë mbyllur dhe thasë me rërë janë vendosur për të mbrojtur disa prona.

Pamjet e videove lokale tregojnë çatitë e shkatërruara nga ndërtesat dhe tabelat e rrëzuara.

Stuhia parashikohet të kthehet në lindje dhe të kalojë mbi ishullin kryesor të Japonisë Honshu përpara se të largohet në det deri të mërkurën.

Kryeqyteti, Tokio, ka përjetuar shi të dendur, me linjën e nëndheshme Tozai të pezulluar për shkak të përmbytjeve.

Një alarm i nivelit pesë, më i larti në shkallën e paralajmërimit të fatkeqësive në Japoni, është lëshuar për më shumë se 500 mijë njerëz në zonat Kagoshima, Miyazaki, Oita, Kumamoto dhe Yamaguchi.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore