Gatimi

Supë me kërpudha, e lehtë dhe plot vitamina


Gatuani një supë të lehtë dhe të pasur me vitaminë C. Në më pak se 30 minuta do të përgatisni një pjatë perfekte për darkën gjatë javës ose një vakt vegjetarian.

Kjo recetë sugjerohet nga shefi i kuzhinës Renato Mekolli.

Përbërësit:  300 gr lloje të ndryshme kërpudhash, pak lëng pule, 1/2 gotë verë e bardhë, 2 lugë kos, 50 ml vaj tartufi, 50 gr gjalpë, 50 ml vaj ulliri, 1 limon, 1 qepë, 3 thelpinj hudhre, pak majdanoz, kripë, piper.

Përgatitja

Pastrojmë mirë kërpudhat. Kërpudhat e vogla nuk i lajmë me ujë, por i pastrojmë me pecetë të pastër dhe të njomë, ndërsa kërpudhave të mëdha u heqim cipën. I presim në feta.

Presim hollë qepën dhe hudhrat, ndërsa majdanozin e grijmë imët.

Vendosim në një tenxhere gjalpin, vajin e ullirit, qepët dhe hudhrat. I lëmë për pak minuta në zjarr me temperaturë të ulët.

Shtojmë kërpudhat dhe mbyllim tenxheren me kapak, që kërpudhat të nxjerrin lëngun e tyre.

I shuajmë me verë dhe shtojmë lëngun e pulës, kripën, piperin, majdanozin dhe vajin e tartufit.

E ziejmë supën deri në momentin që ka marrë shijen e dëshiruar, dhe në 10 minutat e fundit shtojmë lëngun e limonit dhe kosin. Në fund e kalojmë në multi procesor.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore