Lajme

Sulmohet Policia e Kosovës në Leposaviq, pati dhe të shtëna


Policia e Kosoves

Patrulla e Policisë së Kosovës, është sulmuar gjatë ditës së sotme në vendin e quajtur Bistricë në Komunën e Leposaviqit.

Sipas njoftimit të policisë, njësia policore ka qenë në pikë kontrolli dhe gjatë realizimit të detyrave ka tentuar ta ndalojë një veturë, e cila gjatë lëvizjes ka goditur automjetin e Policisë së Kosovës.

Të ndjerë nën rrezik për jetën zyrtarët policorë kanë shtënë me armë zjarri në drejtim të veturës.

“Personat e dyshuar, së bashku me mjetin e tyre janë larguar nga vendi i ngjarjes”, thonë nga policia.

Njësitet relevante menjëherë kanë filluar hetimin për këtë rast, në bashkëpunim dhe koordinim me organet e drejtësisë.

Lidhur me rastin, Policia e Kosovës ka njoftuar edhe Inspektoratin Policor të Kosovës për procedura të mëtejme.

Sulmi në fjalë nuk është sulmi i parë në drejtim të Policisë së Kosovës në pjesën veriore të vendit.

Rasti i fundit ishte në muajin dhjetor ku ka pasur rritje të tensioneve mes Kosovës dhe Serbisë, meqë rast njëri nga policët kishte mbetur i plagosur.

Plagosja e tij kishte ndodhur derisa një veturë e Policisë së Kosovës po patrullonte nëpër fshatin Serbovc, në Komunën e Zveçanit.

Plumbi e kishte goditur në krahë, ndërsa më pas, nga xhami i dërrmuar nga breshëria, copëza të vogla metalike e kanë goditur edhe në kokë, më saktësisht në pjesën e veshëve.

Kjo ishte hera e parë që është plagosur një pjesëtar i forcave të rendit.

Situata jostabile dhe me prezencë të krimit të organizuar në Veri vazhdon qysh nga viti 2000, por tensionet u shtuan, kur qeveria provojë të zbatojë marrëveshjen e vitit 2013 për targat ilegele.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore