Shqipëria

Sulme të tjera kibernetike nga Irani mund të ndjekin, nga një agjenci e sofistikuar spinunazhi kibernetik


Prej muajsh, çështja e sigurisë kibernetike në Shqipëri diskutohej gjerësisht, pasi më 15 korrik 2022, një sulm masiv kibernetik e goditi vendin, duke shkaktuar avari në sistemet qeveritare, përfshi portalin e të dhënave dhe shërbimeve, e-Albania.

Gjithçka, mori një përgjigje të qartë mëngjesin e 7 shtatorit, kur kryeministri Edi Rama, e deklaroi për të parën herë zyrtarisht: Pas sulmit qëndron Irani dhe nga sot, Shqipëria, nuk do të ketë më raporte diplomatike me këtë Republikë Islamike.

Kështu, në pak muaj, gjithçka e referuar u zhvillua furishëm drejt prishjes totale të marrëdhënieve zyrtare mes dy vendeve dhe kjo, mund të lerë një shteg të hapur për një të ardhme të pasigurt për Shqipërinë.

Të paktën, kapacitetet iraniane, e bëjnë këtë frikë më se të përligjur.

Në konsultim me gjigandin botëror të sigurisë kibernetike, Mandiant, Albanian Post ka analizuar gjasat e sulmeve të tilla të ardhshme, prejardhjen konkrete të agresionit kibernetik si edhe rrezikun me të cilin rajoni së fundmi është përballur, ku sulme ka pasur edhe në Kosovë dhe Malin e Zi.

Luke Jenskins, një analist madhor pranë Mandiant, ka shpjeguar për Albanian Post se vetë Qeveria iraniane ka një program të posaçëm e të sofistikuar të spiunazhit kibernetik, të cilin e përdor kundër shumë shteteve, edhe në aspekt të politikave globale që Republika Islamike ndjek.

Jenksins, ka përmendur këtu edhe raste të ndryshe, kur nga Teherani janë ndërmarrë sulme kundrejt Arabisë Saudite, Izraelit apo Emirateve të Bashkuara Arabe.

Pavarësisht se emra konkretë të këtyre grupimeve nuk janë përmendur, kompania ka bërë me dije se po punon në disa pista, për të parë nëse ka një lidhje direkte me çështjen.

Megjithatë, eksperti e sheh tepër të vështirë përsëritjen e një sulmi të ngjashëm, duke qenë se grada e alertit është shumë e lartë tashmë jo vetëm nga Tirana, por edhe nga aleatët e NATO-s.

Mbi të gjitha, sulmi iranian duket sikur ka një prapavijë të pastër politike, e cila lidhet me grupimin e muxhahedinëve MEK, të cilët prej vitesh strehohen në Manzë të Durrësit dhe kanë vendosur bazën e tyre aty.

Konferenca e MEK-ut, e cila do të mbahej në javën e fundit të korrikut, ka qenë pikërisht edhe shënjestër e sulmit iranian dhe jo vetë Shqipëria, sqaron Jenkins. Për këtë arsye, ka një mundësi që sulmet të mos përsëriten.

Sa i përket aktivitetit të shtuar të sulmeve kibernetike në rajon, Mandiant kanë dijeni për sulmin në Malin e Zi, por ende për atë që goditi Kosovën disa ditë më parë.

Mbi sulmin ndaj Qeverisë në Podgoricë, Jenskins shpjegon se edhe nga ana e Qeverisë, mendohet se një grupim i njohur si Cuba Ransomware qëndron pas sulmit. Mirëpo, mes këtij grupimi dhe iranianëve, nuk ka një lidhje të qartë.

Ndaj, mund të hamendësohet se ngjarjet janë të veçuara dhe nuk kanë lidhje njëra me tjetrën.

Dhimbje koke për Shqipërinë në këtë rast, mund të jenë edhe sulme konkrete fizike, të cilat mund të ndërmerren nga Teherani, pasi këta të fundit e kanë quajtur të “pabazë” akuzën shqiptare dhe ndërprerjen e relatave.

Sipas ekspertëve, pozicioni gjeografik i Shqipërisë, mund të jetë pika e volitshme ku vendi e shmang rrezikun iranian, me ndihmën e partnerëve të NATO-s.

Sërish, përtej kësaj, me Iranin, asnjëherë nuk duhet thënë kurrë…

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore