Shqipëria

Policia e Vlorës konfirmon për Albanian Post se po zhvillon kontrolle për autorët e sulmit ndaj Top Channel


Selia qendrore e rrjetit televiziv kombëtar “Top Channel” u sulmua me armë në orët e mesnatës të së hënës nga persona ende të paidentifikuar duke lënë të vrarë një punonjës sigurimi, Pal Kola, 60 vjeç.

Ngjarja e rëndë që u regjistrua në orën 00:40 tronditi opinionin publik, botën e medias, aktorët politikë dhe faktorin ndërkombëtar në vend.

Policia e Vlorës konfirmoi zyrtarisht për Albanian Post se ka pasur kontrolle në qytetin bregdetar për gjetjen e autorëve.

Operacioni i kërkimit po kryhet në bashkëpunim me blutë e Tiranës. Autoritetet nuk ndanë detaje apo informacione të tjera lidhur me këtë zhvillim.

Sipas deklarimeve të para, bëhet me dije se hetimi do të referohet për akuzën e “vrasjes në rrethana cilësuese” në dëm të Pal Kolës.

Punonjësit e pranishëm në godinë gjatë momentit të incidentit të rëndë janë marrë në pyetje pasi konsiderohen nga hetuesit si dëshmitarë.

Juristja Ardita Sokoli për Albanian Post shpjegon se një nga arsyet që mund të jetë vendosur hetimi nën këtë akuzë është sepse autorët “kanë vënë në rrezik jetën e shumë personave”.

Sipas saj, kjo akuzë dënohet me burgim jo më pak se njëzet vjet ose me burgim të përjetshëm.

Kola ishte babai i tre fëmijëve, dhe ishte i punësuar prej gjashtë muajsh pranë Top Channel-it, bën me dije televizioni kombëtar.

Qëllohet me armë godina e Top Channel, humb jetën një punonjës

Ai gjendej në detyrë ashtu si dhe një pjesë e stafit që angazhohet si turni i tretë.

Autoritetet deklaruan se vrasësit udhëtuan me shpejtësi me mjetin “Range Rover” në ngjyrë të zezë dhe në ecje e sipër zbrazën një karikator arme AK–47 tipit kallashnikov.

Njëri nga plumbat goditi për vdekje punonjësin 60-vjeçar, i cili nuk arriti t’i mbijetonte plagëve të marra.

Ndërsa plumbat e tjerë ndaj godinës së Top Channel (plot 25) dëmtuan fasadën kryesore dhe rrezikuan jetën e punonjësve të tjerë.

Gjatë vëzhgimit të ambientit të jashtëm dhe të brendshëm Policia sekuestroi gëzhoja të shumta edhe në brendësi të zyrave.

Nga të dhënat paraprake, deklarohet se menjëherë pas atentatit, autorët u larguan nga Tirana.

Autorët e kanë djegur makinën e krimit në afërsi të Kavajës në vendin e quajtur Përroi i Agait, duke lënë brenda mjetit dy kallashnikovët e përdorur.

Armët janë përcjellë për ekzaminime të mëtejshme në Policinë Shkencore së bashku me një pjesë të targës po ashtu të vjedhur.

Nga këqyrjet e kamerave të sigurisë grupi i hetimit shpreson se do të zbërthejë itinerarin e automjetit me të cilin udhëtuan vrasësit përpara se të qëllonin ndaj Top Channel.

Reagimet e politikës

Presidenti i Republikës, Bajram Begaj dhe kryeministri Edi Rama dënuan menjëherë sulmin.

Ata shprehën ngushëllime për familjarët e viktimës dhe u bënë thirrje autoriteteve të ligjit të vijojnë hetimin dhe zbardhjen e ngjarjes.

Për Ramën, grupi i Top Channel meriton “solidaritetin e të gjithëve në këtë moment kaq shqetësues”.

Dënimit të aktit i është bashkuar edhe ministri i Brendshëm, Bledi Çuçi.

Ai ka treguar se Policia është e angazhuar plotësisht për zbardhjen e sulmit.

Ndërkohë opozita e ka cilësuar si një akt kriminal.

Kreu i Partisë së Lirisë, Ilir Meta shkroi se “edhe sot krimi e mori një jetë”.

“Sot një roje televizioni, para pak ditësh një pastruese lokali. Viktimat e krimeve nuk janë të largët e të panjohur, ata janë njerëzit tanë, bashkëqytetarët tanë, shqiptarët tanë. Bashkohem me pikëllimin dhe dhimbjen e familjarëve dhe gjithë shoqërisë sonë. Epoka e krimit duhet të marrë fund, që të vijë epoka e shqiptarëve”.

Gjithashtu edhe kryetari i komanduar i PD-së, Enkelejd Alibeaj tha se “sulmi me armë ndaj televizionit kombëtar, Top Channel dhe vrasja e rojës së sigurisë është një ngjarje e rëndë dhe akt kriminal të cilin e dënoj me forcë”.

Reagimet e ndërkombëtarëve

Përfaqësitë diplomatike në Tiranë kanë dënuar dhe shprehur shqetësim për sulmin ndaj Top Channel.

Ambasada Amerikane në Tiranë thotë se “dënon me forcë sulmin vdekjeprurës ndaj Top Channel dhe i shprehim ngushëllimet më të thella familjes së viktimës. Nxisim agjencitë ligj-zbatuese të kryejnë një hetim tërësor që do të nxjerrë përgjegjësit përpara drejtësisë”.

“Shprehim tronditjen mbi incidentin e dhunshëm në Top Channel dhe shpresojmë që përgjegjësit të dalin sa më parë përpara drejtësisë. Mendimet dhe ngushëllimet tona janë me familjen e viktimës dhe të gjithë personat e prekur”, shkruan selia diplomatike e Londrës në Tiranë.

Delegacioni i BE-së në Tiranë ka dënuar sulmin ndaj Top Channel, ku mbeti i vrarë punonjësi i sigurisë, Pal Kola.

Duke u bërë thirrje autoriteteve shqiptare për një hetim të shpejtë dhe të plotë të incidentit, BE rikujton se “sundimi i ligjit dhe liria e medias janë dy vlera themelore të shoqërive demokratike që duhet të respektohen”.

Misioni i OSBE-së ka dënuar me forcë gjithashtu sulmin ndaj televizionit kombëtar.

“Dënojmë me forcë sulmin kriminal kundër Top Channel-it dhe shprehim tronditjen dhe ngushëllimet tona të ndjera për familjen dhe kolegët e punonjësit të sigurisë, Pal Kola, i cili humbi jetën në krye të detyrës, ndërsa ruante ndërtesën ku bëhet gazetari që i shërben informimit publik”.

Solidarizimet mediatike

Reagim pati edhe nga vetë televizioni kombëtar “Top Channel”, i cili ka dënuar sulmin dhe ka kërkuar zbardhje.

“Ngushëllojmë me hidhërim të thellë familjen Kola, duke qëndruar pranë tyre në përballimin e kësaj fatkeqësie. Po ashtu, Top Channel shpreh qartësinë që ky akt terrorist i paprecedent, është kryer për të dëmtuar e goditur misionin e medias së lirë dhe fuqisë së fjalës së lirë”, thekson rrjeti televiziv.

Top Channel: Sulm terrorist, goditi misionin e medias

Të shokuar nga sulmi mbeti edhe Qendra Evropiane për Lirinë e Shtypit dhe të Medias.

“Mbetëm të shokuar kur mësuam se ka pasur një sulm me armë zjarri në ambientet e Top Channel në Shqipëri, ku humbi jetën një roje sigurie e objektit. I shprehim ngushëllimet tona familjes dhe i bëjmë thirrje autoriteteve shqiptare të kryejnë hetime të pavarura dhe profesionale”, thuhet në një postim në Twitter të Qendrës.

Sulmin ndaj Top Channel e ka dënuar Asociacioni i Gazetarëve të Kosovës duke kërkuar që me urgjencë të zbardhet rasti.

“Asocacioni i Gazetarëve të Kosovës solidarizohet me kolegët e Top Channel dhe me familjarët e të ndjerit dhe i bëjmë thirrjeve autoriteteve shqiptare që me urgjencë absolute ta trajtojnë rastin”, tha kryetari i saj Xhemajl Rexha.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore