Lajme

Stuhia tropikale “Megi”: Rritet në 123 numri i të vdekurve në Filipine


Një pamje ajrore nga një rrëshqitje dheu që goditi një fshat në provincën Leyte të Filipineve mes shiut të dendur nga stuhia tropikale "Megi"

Numri i të vdekurve nga rrëshqitjet e dheut dhe përmbytjet në Filipine u rrit në 123 të mërkurën e 13 prillit.

Ndërkohë raportohet për dhjetëra të zhdukur, për shumë prej të cilëve dyshohet të jenë të vdekur, thanë zyrtarët.

Shumica e vdekjeve nga stuhia tropikale “Megi” – më e forta që goditi arkipelagun këtë vit – ishin në provincën qendrore të Leyte, ku komunitetet u shkatërruan nga një sërë rrëshqitjesh dheu.

86 nga viktimat ishin në Baybay, një zonë malore në provincë, ku u lënduan 236 njerëz gjithashtu.

Në një raport të Qeverisë, shkruhet se, në fshatin bregdetar Pilar – pjesë e komunës Abuyog – vdiqën 26 njerëz, ndërsa rreth 150 u zhdukën.

Një rrëke e fuqishme uji shtyu shtëpitë në det, duke “përpirë” pjesën më të madhe të vendbanimit.

Autoritetet gjithashtu bënë me dije se vazhdojnë evakuimet nga rojet bregdetare dhe personeli i policisë.

“Duhet të jem i sinqertë, ne nuk presim më të mbijetuar”, tha kryebashkiaku i Abuyog-it, Lemuel Traya, i cili shtoi se personeli i urgjencës është fokusuar në detyrën e vështirë të marrjes së trupave.

Ndër të tjera, ai bëri me dije se rreth 250 njerëz janë të regjistruar në qendrat e evakuimit,  pasi u shpëtuan me varkë.

Gjithashtu, ai tha se rrugët janë prerë nga rrëshqitjet e dheut dhe se një numër i fshatarëve ndodhen në spital.

Ky rajon preket vazhdimisht ndaj katastrofave natyrore.

Goditja më e fundit e regjistruar ka qenë në vitin 2013, super-tajfuni “Haiyan”.

Shkencëtarët, nga ana tjetër, paralajmërojnë se përballë ndryshimeve klimatike që po ndihen në gjithë botën, kjo zonë është gjithnjë e më rrezikuar për t’u goditur nga stuhi dhe tajfune.

Fotot ajrore treguan një shtrirje të gjerë balte që kishte përfshirë një kodër me pemë kokosi dhe tërë fshatin Bunga, ku vetëm disa çati depërtuan përmes peizazhit tashmë të transformuar.

“Na u tha të ishim në gatishmëri sepse po afrohej një stuhi, por ata nuk na thanë drejtpërdrejt se duhej të evakuoheshim”, tha punonjësja e fermës Bunga, Loderica Portarcos, 47 vjeç, e cila humbi 17 të afërm dhe një mik nga rrëshqitjet e dheut.

Tre persona u vranë gjithashtu në provincën qendrore të Negros Oriental dhe tre në ishullin kryesor jugor të Mindanao, sipas agjencisë kombëtare të fatkeqësive.

Një vullkan i vogël filipinas në një liqen piktoresk afër kryeqytetit gërvishti një shtëllungë të bardhë avulli dhe hiri 1,5 kilometra në qiell në një shpërthim të shkurtër të shtunën, duke bërë që autoritetet të ngrenë një nivel alarmi dhe të nxisin mijëra banorë që të evakuohen në mënyrë mbrojtëse nga fshatrat me rrezik të lartë.

Pamje tronditëse përjetuan banorët e Pilar-it, pasi qese të zeza me trupa, që përmbanin 26 viktima, u rreshtuan mbi rërë në Abuyog për të identifikuar të afërmit.

Shefi i policisë së Abuyog, kapiteni James Mark Ruiz, tha se duheshin më shumë varka, por qasja në breg ishte e vështirë.

Fotot e postuara nga Byroja e Mbrojtjes nga Zjarri në Facebook treguan ndërtesa të shtypura ose të kthyera nga forca e rrëshqitjes së dheut dhe mbeturinave në ujë.

“Ne po përdorim varka me tekstil me fije qelqi dhe ka shufra çeliku të ekspozuar në det, kështu që është shumë e vështirë”, tha kryebashkiaku i Abuyog Traya, duke shtuar se toka ishte e paqëndrueshme dhe “shumë e rrezikshme”.

Filipinet – të renditura ndër vendet më të cenueshme ndaj ndikimeve të ndryshimeve klimatike, goditen mesatarisht nga 20 stuhi në vit.

Marrë nga “The Guardian”, përshtatur për Albanian Post!

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore