Lajme

Stuhia dëmtoi një dru dhe një pullaz në Ferizaj, nuk ka të lënduar


Ilustrim

Erërat e forta dhe të reshurat e shiut bënë që edhe një pjesë e një lisi në Ferizaj të bie.

Për dallim nga lisi i rënë në Prishtinë pak ditë më parë, në Ferizaj nuk pati të lënduar e as pasoja me fatalitet.

“Nuk është lis, është degë ajo që ka dalë nga lisi dhe është në parking të objektit të QKMF-së në Ferizaj. Nuk ka të lënduar në përjashtim të një veture të dëmtuar”, ka thënë Arben Halili, Drejtor i Shërbimeve Publike në Ferizaj, në një prononcim të shkurtër për Albanian Post.

“Sipas informatave që i kam nga grupi që ka dalë në terren është vetëm një veturë e dëmtuar”, ka specifikuar Halili.

“Kanë qenë ekipi mobile e kanë larguar atë degën e lisit, e kanë prerë. Tash ekipi tjetër kanë shku ta marrin e ta largojnë nga aty”, ka vazhduar më tej Halili.

Përveç këtij druri, erërat e forta dëmtuan edhe një pullaz metalik.

“Ka qenë një pullaz i një objekti në magjistrale në Prishtinë-Ferizaj, erërat e forta i kanë shkëputur disa pjesë të metalit atij pullazi ë kanë qenë rrezik të lëndojnë dikë. Ekipi i emergjencës ka intervenu menjëherë dhe i janë larguar ato copëzat e rrezikshme që janë shkëputur për shkak të stuhisë”, shpjegon Halili.

Përveç këtyre dy rasteve, për të cilat edhe Policia e Kosovës, është në dijeni, raste të tjera nuk janë identifikuar në këtë komunë, tregon Drejtori i Shërbimeve Publike në Ferizaj.

U raportua se një lis është rrëzuar në magjistralen Gjilan-Viti si pasojë e motit jostabil që po shënon këtë të mërkurë në Kosovë.

Rrëzimi i drunjve në Prishtinë në lagjen “Pejton” nga erërat e fuqishme.

Para dy dite, më gjashtë qershor, një burrë 30-vjeçar humbi jetën dhe një grua, 30-vjeçare po ashtu, është lënduar, pasi janë zënë nga lisi që u rrëzua në lagjen “Pejton” në Prishtinë, si pasojë e motit të ligë dhe erërave të forta.

Lajmin për Albanian Post e kishte konfirmuar zëdhënësi i Policisë së Kosovës për rajonin e Prishtinës, Agron Borovci.

“Policia menjëherë ka dalë në vendin e ngjarjes dhe nga informatat e para janë ngritur dyshimet se njëri nga të lënduarit mashkull, rreth 30 vjeç ka humbur jetën, përderisa e lënduara tjetër femër, po ashtu rreth 30 vjeç, është dërguar në QKUK për trajtimin e nevojshëm mjekësor”.

Pas këtij rasti Komuna e Prishtinës, ka bërë të ditur se ka nisur prerjen dhe krasitjen e drunjve të dëmtuar, të cilët paraqesin rrezik potencial si rezultat i kushteve të rënda atmosferike.

Në njoftimin e komunës thuhet se deri tani janë prerë dhe krasitur drunjtë në rrugën “Abedin Rexha” dhe në “Parkun e Qytetit”.

“Komuna e Prishtinës nëpërmjet Hortikulturës dhe Organit Mbikëqyrës është në proces të vazhdueshëm të identifikimit dhe eliminimit të drunjve të dëmtuar të cilët paraqesin rrezik potencial si rezultat i kushteve të rënda atmosferike, si dhe krasitjes së disa prej tyre për të evituar rrezikun nga kabllot e rrymës”.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore