Stil

Stresi “i gatshëm të ndërhyjë në veri”, bashkë me miqtë e tij nga Tirana


Rep artisti i njohur nga Shqipëria, Stresi duket të jetë i brengosur me situatën alarmante që po mbretëron në veriun e Kosovës.

Yllit të hitit “Kosovë-Shqipni”, emri i vërtetë i të cilit është Arkimed Lushaj, përshtypje i kanë bërë raportimet se grupi rus “Wargner” do të vijë pikërisht në pjesën veriore të Republikës së Kosovës.

Kësisoj, Stresi është shprehur i gatshëm për t’i dalë në ndihmë shqiptarëve nga Kosova që jetojnë në atë pjesë, përcjell Albanian Post.

“Le të vinë se gati na kanë. I pari prej Tirane me shok e me miq jemi për Kosovë. Besa-besë”, ka shkruar pos tjerash ai, në një storie të publikuar nga llogarinë e tij të Instagramit.

Përndryshe, Stresi po vazhdon të shijojë suksesin e projekteve të tij muzikore që shënuan rritje që pas triumfit të tij në formatin televiziv “Big Brother VIP Kosova”, ku u shpall fitues i çmimit të madh prej 160 mijë eurove.

Dita e dytë që serbët po protestojnë

Është dita e dytë me radhë që serbët në Zveçan, Leposaviq dhe Zubin Potok po protestojnë, duke kundërshtuar kryetarët e rinj shqiptarë.

Kërkese e tyre po ashtu është që të tërhiqen njësitë speciale të Policisë së Kosovës nga veriu i Kosovës.

Më 26 maj, tensionet në Veri u rritën, atëherë kur krerët e rinj të Zveçanit, Leposaviqit dhe Zubin Potokut, kishin hyrë nën përcjelljen e policisë në ndërtesat komunale.

Ndërkaq, më 29 maj, protestuesit u përleshën me trupat e misionit paqeruajtës të NATO-s në Kosovë, KFOR.

Nga kjo përleshje 41 trupa të KFOR-it u lënduan dhe dhjetëra protestues.

Nga pamjet që vijnë nga Zveçani ishte parë një numër i ushtarëve të shtrirë në tokë, pas lëndimeve të marra.

Ambasadorët e Shteteve të Bashkuara të Amerikës e Britanisë së Madhe kanë kërkuar që të ndalet menjëherë dhuna ndaj pjesëtarëve të KFOR-it.

Kryetarët e rinj shqiptarë u zgjodhën në zgjedhjet e parakohshme të 23 prillit.

Këto zgjedhje u mbajtën pas dorëheqjes së kryetarëve të mëparshëm komunale nëntorin e 2022.

Kryetarët e mëparshëm vinin nga Lista Serbe partia kryesore e serbëve në Kosovë, e cila nuk mori pjesë në zgjedhje dhe procesi u bojkotua nga serbët lokalë.

Policia e Kosovës, të martën situatën në komunat veriore e ka përshkruar “si të brishtë”, por që nga ky institucion i sigurisë është thënë se po vazhdohet të punohet për stabilizimin e situatës dhe ruajtjen e sigurisë.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore