Stil

Stresi flet për herë të parë pas rrahjes me kundërshtarin e tij: Isha i kërcënuar dhe shteti nuk u mor me rastin


Stresi

Ditët e fundit në rrjet ka qarkulluar një video e rep-artistit Arkimed Lushaj i njohur me emrin skenik, Stresi, duke e sulmuar kundërshtarin e tij BTM-në, emri i vërtet i të cilit është Arben Simoni.

Reperi me origjinë nga Tropoja përmes një lidhjeje direkte në Instagram së bashku me reperin Kozak, ka folur për herë të parë mbi këtë çështje.

Ai ka thënë se i kishte dërguar videot, në Prokurorinë e Shtetit, ku dëshmohej kërcënimi që i ishte bërë, por askush nuk ishte marrë me rastin.

“Këta kopilët e shtetit nuk shohin kërcënimet e tjetrit, por vijnë e pyesin; ‘pse e ke rrahur’. E kam rrahur o vëlla sepse ti si shtet nuk je i aftë të mbrosh robin tënd. Unë i kam dërguar videot në Prokurori dhe iu kam thënë: ‘shikoni se ky njeri është 40 vjeç, më merr në telefon nga Italia, më thotë që do të vij në Shqipëri dhe do të q* robët e shtëpisë, ty, babait, nënës tënde do ju vras’, tani shoh që vjen në Shqipëri dhe s’merret asnjë lloj mase, si qenka ky muhabet kështu”, tha reperi.

Tutje, krijuesi i hitit “Lambo” ka shtuar se nuk e ka prekur me dorë kundërshtarin, por “njerëzit e tij” kanë marrë masa duke e sulmuar, për shkak të kërcënimeve të vazhdueshme dhe sharjeve publike që ia ka bërë.

“Ne i kemi inat kërcënimet, sepse kemi motra, vëllezër, nënë, baba, dalin nëpër Tiranë, ku iu merret vesh këtyre se janë njerëz të çmendur, kërcënojnë: ‘do të vras’, ‘po jetoj për të ardhur në Shqipëri për të të vrarë’. Ne kur e marrim vesh që janë në Shqipëri pastaj, veprojnë njerëzit se unë as nuk e kam prekur me dorë atë legen”, shpjegon Stresi ndër të tjerash.

Rikujtojmë se reperi disa ditë më parë, në llogarinë e tij në Instagram, kishte publikuar imazhin BMT-së, ku shihej i përgjakur në veturë.

Kjo gjakosje ishte rezultat i një dhune fizike të ushtruar nga ‘njerëzit e Stresit’ mbi të, për shkak se ky i fundit e kishte sharë familjarisht në rrjetet sociale.

Një video e publikuar nga portali “JOQ”, tregon tërësisht momentin kur reperi shqiptar afrohet te vetura e Simonit dhe fillon ta sulmojë atë.

Në videon e publikuar shihet Stresi teksa përmend me krenari që është djali i Sali Lushajt, duke i bërë kështu me dije se nuk është dashur të ngatërrohej me familjen e tij.

“Jam djali i Sali Lushës, ky më ka prekur familjen”, dëgjohet duke thënë reperi ndër të tjerash përgjatë gjithë videos.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore