Lajme

Stoltenberg: Kosova të mos ndërmarrë hapa të njëanshëm destabilizues në veri


Jens Stoltenberg

Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Jens Stoltenberg, nëpërmjet një cicërime në llogarinë e tij në “Twitter”, njoftoi se ka zhvilluar një bisedë telefonike me shefin e diplomacisë evropiane Josep Borrell për situatën e tensionuar në pjesën veriore të Kosovës.

Stoltenberg i bëri thirrje Qeverisë së Kosovës që të de-pershkallëzojë situatën në veri të vendit dhe të mos ndërmarrë hapa të njëanshëm destabilizues, porse të angazhohet në procesin e dialogut për normalizimin e marrëdhënieve nën ndërmjetësimin e Bashkimit Evropian.

“Fola me Përfaqësuesin e Lartë, Josep Borrell, në lidhje me Kosovën. Prishtina dhe Beogradi duhet të angazhohen në dialogun e udhëhequr nga BE-ja tani, si e vetmja rrugë drejt paqes dhe normalizimit. Prishtina duhet të de-përshkallëzojë dhe të mos ndërmarrë hapa të njëanshëm destabilizues”.

Komuniteti ndërkombëtar ka paralajmëruar pasoja për Kosovën, pas përplasjes së serbëve të veriut me policinë, e cila të premten realizoi aksionin për t’ua mundësuar qasjen në zyra kryetarëve të rinj të tri komunave veriore – Leposaviq, Zubin-Potok dhe Zveçan.

Departamenti amerikan i Shtetit i ka bërë thirrje kryeministrit Kurti që ta ndryshojë kursin, ngase “do të ketë pasojë pasoja për marrëdhëniet tona dyplaëshe” dhe të gjitha palët të përmbahen nga çdo veprim i mëtejshëm që do t’i ndezë tensionet dhe do ta nxisë konfliktin.

“Shtetet e Bashkuara të Amerikës dënojnë ashpër veprimet e Qeverisë së Kosovës për të hyrë me forcë në ndërtesat komunale në veri të Kosovës, veprime që ajo i ndërmori kundër këshillave të Shteteve të Bashkuara dhe partnerëve evropianë të Kosovës”, thuhej në deklaratën e DASH-it.

“Këto veprime kanë përshkallëzuar në mënyrë të ashpër dhe të panevojshme tensionet, duke minuar përpjekjet tona për të ndihmuar në normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë dhe do të kenë pasoja për marrëdhëniet tona dypalëshe me Kosovën”.

Edhe vetë sekretari Blinken, ka qortuar ashpër ekzekutivin kosovar, për “masa të dhunshme” në veri të vendit, duke i bërë thirrje kryeministrit Kurti që të rifokusohet në dialogun për normalizimin e marrëdhënieve të ndërmjetësuar nga Bashkimi Evropian.

Bashkimi Evropian gjithashtu ka dënuar ashpër tensionet e reja në veri të Kosovës dhe ka shprehur qëndrimin se më nuk do të pranojë “asnjë veprim të njëanshëm ose provokues”, ndërsa u ka bërë thirrje të gjitha palëve që menjëherë, të ndërmarrin veprime në funksion të shtensionimit të situatës dhe të rivendosjes së qetësisë.

“Bashkimi Evropian dënon fuqishëm përplasjet në mes të Policisë së Kosovës dhe protestuesve në veri të Kosovës, të iniciuara nga përpjekja e kryetarëve të sapozgjedhur që të hyjnë në objektet komunale”, thuhej në reagimin e Bashkimit Evropian.

Situata politike në katër komunat e veriore të Kosovës është sfidë që shkon përtej parimeve kushtetuese e ligjore të Kosovës. Kryetarët e zgjedhur janë optimistë se kanë “kapacitet dhe kompetenca” për t’iu përgjigjur qytetarëve. Por, qeverisja në veri, përkundër fitores në zgjedhje do të jetë mjaft sfiduese.

Aktualisht, në veri ekziston pak ose aspak rendi publik, udhëheqja nuk gëzon as autoritet, as besnikëri, ndërsa bandat e dirigjuara nga Beogradi i kërcënojnë me rezistencë institucionet kosovare që po mundohen të integrojnë komunitetin serb dhe të vendosin një rend efektiv.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore