Sport

Sterling pritet të transferohet te rivali i ekipit të tij


Sulmuesi anglez, Raheem Sterling, ka hyrë në vitin e fundit të kontratës me Manchester City-n dhe rinovimi i tij nuk pritet të ndodhë.

Kjo pasi që anglezi ka humbur vendin e titullarit te skuadra e Pep Guardiola-s, e sidomos me ardhjen e Erling Haaland pritet të gjejë akoma më pak hapësira.

Kështu, sipas asaj që shkruajnë mediat angleze, skuadra e Chelsea-t është duke menduar që ta transferojë Sterling-un gjatë këtij afati kalimtar veror.

Anglezi pritet ta plotësoj boshllëkun e krijuar në rast se Lukaku do të rikthehet tek Inter-i, gjë që me shumë gjasë do të ndodhë gjatë verës.

Flitet se për transferimin e Sterling-ut, City kërkon një shumë prej rreth 20 milionë eurosh, pasi që në sezonin e ardhshëm mund ta humbë me parametra zero.

Nga ana tjetër, sulmuesi anglez ka pëlqimin e trajnerit të bluve, Thomas Tuchel, që asnjëherë nuk ka preferuar të ketë një sulmues tipik në repartin e avancuar, por një lojtar me cilësitë e Sterling-ut, që mund të lëvizë në të gjithë hapësirën dhe të dalë shpesh në krah për të krijuar hapësira për shokët e skuadrës.

Krahas Sterling-ut, trajneri Tuchel ka vendosur të mbajë në ekip edhe sulmuesin e kombëtares shqiptare, Armando Broja, i cili vjen pas një sezoni shumë pozitiv me fanellën e Southampton-it dhe do të ketë shansin të tregojë veten edhe me blutë e Londrës.

Natyrisht sulmuesi shqiptar nuk shihet si titullar, por në një sulm me tre përpara, do të ketë padyshim mundësi të mjaftueshme për të luajtur dhe treguar cilësitë e tij.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore