Lajme

Stano, Bislimit: Në vend të akuzave të pabaza për zyrtarët e BE-së, vlerëso përpjekjet tona


Zëdhënësi i Bashkimit Evropian, Peter Stano, ka reaguar pasi zëvendëskryeministri, Besnik Bislimi, njëherit kryengociator i Kosovës, ka bërë të ditur se ka refuzuar një ftesë që i është bërë nga Përfaqësuesi Special i BE-së për dialogun Prishtinë-Beograd, Miroslav Lajçak, për të diskutuar për çështjen e dinarit.

“Ne shpresojmë se zoti Bislimi do t’i vlerësojë përpjekjet, në vend që, në mënyrë të pabazë, t’i akuzojë zyrtarët e BE-së. Një sjellje e tillë është e papranueshme. Përfaqësuesi i Lartë, Borrell pati takime me presidentin Vuçiç dhe kryeministrin Kurti në Munih javën e shkuar ku u diskutua kjo çështje. Si vazhdimësi e këtyre takimeve i dërguari i posaçëm Lajçak i ftoi dy palët që të vinë në Bruksel më 27 shkurt”, tha Stano gjatë një konference për media.

Ai ka theksuar se ftesa përmes letrës nga i dërguari i posaçëm Lajçak nuk kishte specifikuar se kush duhet të përfaqësojë Kosovën dhe kush Serbinë, “kjo i ishte lënë palëve të vendosin”.

Ndryshe, refuzimin për të marrë pjesë në takim, Bislimi e ka arsyetuar të mërkurën duke thënë se çështja e dinarit “nuk është pjesë e dialogut”.

“Ka kërkesë nga Brukseli që të mbahet një takim javën e ardhshme për çështjen e rregullimit të transferit të monedhave nga Serbia për Kosovë, por ky nuk është takim ku duhet të shkojë kryenegociatori, për arsye se çështja e dinarit nuk është pjesë e dialogut”, deklaroi Bislimi.

Përveç refuzimit, Bislimi edhe ka akuzuar ndërmjetësin Lajçak, për caktimin e një takimit, sipas tij, në mënyrë të njëanshme, pasi që ka theksuar se nuk është koordinuar si zakonisht për agjendën e takimit.

“Kësaj radhe mendoj që ai i ka shkelë parimet të cilat i ka vendosur vetë, për arsye që është hera e parë që ka caktuar një takim pa dakordim me palët dhe është munduar që të përcaktojë edhe agjendën, përkundër parimit që ai ka vendosur në vitin 2021 që asnjë temë nuk vendoset në agjendë pa dakordim të palëve”.

Vendimi i Bankës Qendrore të Kosovës për ndalimin e dinarit, së fundmi ka shkaktuar fërkimin politik të radhës në mes të Qeverisë së Kosovës – e cila në emër të ligjit po tenton ta shtrijë sovranitetin në Veri të Kosovës – dhe komunitetit ndërkombëtar – i cili s’po do “surpriza” në terren, por zbatim të marrëveshjeve (Asociacionin).

Qeveria e prerë: S’shkojmë në Bruksel për dinarin

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore