Kosova

Qeveria e prerë: S’shkojmë në Bruksel për dinarin


Qeveria e Kosovës

Përkundër kritikave – më të ashpra se kurrë më parë – nga ndërkombëtarët, Qeveria e Kosovës e bëri të qartë që ajo nuk do të shkojë në Bruksel për të diskutuar sa i përket vendimit të Bankës Qendrore të Kosovës (BQK), për ndalimin e dinarit serb për shit-blerje dhe transaksione në territorin e Kosovës, ndryshe nga ajo se çfarë kanë kërkuar vendet perëndimore për këtë çështje.

Vendet perëndimore, posaçërisht Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe Bashkimi Evropian, kanë kërkuar që çështja e rregullores së re të BQK-së për ndalimin e dinarit, të trajtohet në Bruksel – kryeqendra evropiane ku ndërmjetësohet dialogu mes Kosovës dhe Serbisë.

Por, përkundër këtyre kërkesave, përkundër se SHBA-të deklaruan se moskoordinimi me ta për këtë çështje ka cenuar raportet mes dy vendeve, qeveria nëpërmjet zëvendëskryeministrit, Besnik Bislimi, njëherit kryengociator i Kosovës, ka bërë të ditur se ka refuzuar një ftesë që i është bërë nga Përfaqësuesi Special i BE-së për dialogun Prishtinë-Beograd, Miroslav Lajçak, për të diskutuar mbi këtë tematikë.

Refuzimin për të marrë pjesë në takim, Bislimi e ka arsyetuar duke thënë se çështja e dinarit “nuk është pjesë e dialogut”.

“Ka kërkesë nga Brukseli që të mbahet një takim javën e ardhshme për çështjen e rregullimit të transferit të monedhave nga Serbia për Kosovë, por ky nuk është takim ku duhet të shkojë kryenegociatori, për arsye se çështja e dinarit nuk është pjesë e dialogut”, deklaroi Bislimi të mërkurën.

Përvec refuzimit, Bislimi edhe ka akuzuar ndërmjetësin Lajçak, për caktimin e një takimit, sipas tij, në mënyrë të njëanshme, pasi që ka theksuar se nuk është koordinuar si zakonisht për agjendën e takimit.

“Kësaj radhe mendoj që ai i ka shkelë parimet të cilat i ka vendosur vetë, për arsye që është hera e parë që ka caktuar një takim pa dakordim me palët dhe është munduar që të përcaktojë edhe agjendën, përkundër parimit që ai ka vendosur në vitin 2021 që asnjë temë nuk vendoset në agjendë pa dakordim të palëve”. ka shtuar Bislimi.

Pala shqiptare e Kosovës, mund të udhëtojë në Bruksel pjesë në dialog, gjithmonë në bazë të asaj që e ka deklaruar Bislimi, vetëm kur të kërkohet nënshkrimi i Marrëveshjes Bazike (Bruksel, më 27 shkurt, Ohër, më 18 mars).

“Unë shkoj atëherë kur diskutohet për Marrëveshjen Bazike, kështu që do të shohim se kush mund të shkojë që të bisedojë për çështjen e dinarit, por që nuk është nga ekipi i kryenegociatorit”, potencoi ai.

Bislimi, ndër të tjera, ka bërë të ditur se Qeveria e Kosovës në ditët në vijim do të dalë me një listë prej 10 masave, të cilat do të tregojnë se si serbët duhet të veprojnë për t’u mos u dëmtuar nga faza kalimtare e zbatimit të Rregullores së re të Bankës Qendrore të Kosovës.

Vendimi i Bankës Qendrore të Kosovës për ndalimin e dinarit, së fundmi ka shkaktuar fërkimin politik të radhës në mes të Qeverisë së Kosovës – e cila në emër të ligjit po tenton ta shtrijë sovranitetin në Veri të Kosovës – dhe komunitetit ndërkombëtar – i cili s’po do “surpriza” në terren, por zbatim të marrëveshjeve (Asociacionin).

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore