Lajme

Nuk protestuan me 1 maj, Jasharaj ironizon me Kurtin: S’donim ta pengonim në dialog me Serbinë


Rrahman Jasharaj

Kryetari i Sindikatës së Bashkuar të Arsimit, Kulturës dhe Shkencës (SBASHK), Rrahman Jasharaj, nëpërmjet një kominikate për media, ka thënë se vendimi për të mos protestuar për 1 maj – Dita e Punës – lidhet me procesit e dialogut Kosovë-Serbi të ndërmjetësuar nga Bashkimi Evropian.

Jasharaj tha se nuk kanë protestuar sikurse kolegët e tyre në botë për të mos e penguar kryeministrin Albin Kurtin, i cili, në kohën kur SBASHK-u protestonte shesheve të Prishtinës, deklaronte se grava e përgjithshme ishte shpallur pikërisht në ditën kur ai do të nisej për në Bruksel.

“Kryeministri Kurti do të deklaronte në media, dhe ushtria e tij bashkë me disa faqezinjë analistë, do të drejtonin sulme ndaj atyre që mbajtën gjallë arsimin në vitet e 90-ta. Nuk e penguam Kurtin në Bruksel, por shikoni se çfarë na solli nga atje”, tha Jasharaj.

Ai theksoi se në gushtin e vitit të kaluar, dështimet e veta në dialogun me Serbinë në atë kohë, kryeministri Kurti ishte munduar t’ua adresonte ato sindikatave dhe udhëheqësve sindikalë e në veçanti “babës së grevave”.

“’Kur unë shkova të përballesha me Serbinë , më thanë se në shtetin tënd ka grevë’, kishte thënë Kurti duke përcjellur mesazhin te mbështetësit e tij e sidomos të ushtria e tij në Facebook se greva e paralajmëruar e BSPK-së ia paska ulur forcën goditëse Kurtit”, tha Jasharaj.

Kryeministri Kurti, më 17 gusht të vitit të kaluar ishte nisur për takim me presidentin e Serbisë, Aleksandër Vuçiç, në Bruksel, por ai shprehej i habitur se si u bë që pikërisht atë ditë sindikatat shpallën grevën.

“Ditën që u nisa për Bruksel u shpall greva nga udhëheqësit e Këshillit Grevist. Unë të nesërmen isha në negociata në Bruksel për 5 orë. E ke kryeministrin që po negocionte me fqinjët tonë agresiv, dashakeq, në një moment kur te shtëpia ishte paralajmëruar greva masive”, thoshte Kurti.

Kosova jo rrallëherë është ballafaquar me greva. Në periudha të ndryshme, sindikatat kishin paraqitur kërkesa ndaj qeverive që udhëhiqnin vendin. Por, greva që filloi më 25 gusht rezulton të jetë greva më e madhe që është mbajtur ndonjëherë në Kosovë.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore