Shqipëria

Spiropali u bën thirrje bashkive të përdorin “fondin e emergjencave”


Ministrja e shtetit për Marrëdhëniet me Parlamentin në Republikën e Shqipërisë, Elisa Spiropali u bëri thirrje autoriteteve lokale që të përdorin “fondin e emergjencave”.

Lajmi u bë i ditur gjatë kontrollit të situatës në Shkodër me ministrin e Mbrojtjes, Niko Peleshi.

“Dua ta theksoj dhe besoj se nuk duhet të lodhemi së thëni se pushteti vendor duhet që ‘fondin e emergjencës’ të pakushtëzuar ta përdori në këtë ditë të keqe”, theksoi fillimisht zyrtarja shqiptare.

Ministrja shtoi se është pikërisht për këtë arsye pse qeveria edhe këtë vit edhe vitin e ardhshëm e ka parashikuar në Buxhet “për të gjitha ato gjëra që i duhen qytetarëve në këtë ditë”.

“Buxheti i emergjencave ka absolutisht mundësi t’i plotësojë këto nevoja”, shtoi Spiropali.

Kujtojmë, që më 10 prill Ministria e Mbrojtjes u akordoi bashkive një fond total prej 10 milion dollarë.

“Njësitë e vetëqeverisjes vendore do të kenë më shumë burime financiare për të përballuar Emergjencat Civile në territorin e tyre”, shkruante ministria në deklaratën e saj.

Sipas njoftimit, ky fond u është shpërndarë të 61 bashkive të Republikës së Shqipërisë.

Kjo, bazuar në peshën specifike që zë buxheti i çdo bashkie ndaj totalit të buxhetit të të gjitha bashkive.

Fondi ndihmon bashkitë në përmbushjen e detyrimeve të tyre në kuadër të reduktimit të riskut nga fatkeqësitë dhe mbrojtjen civile.

Njësitë e vetëqeverisjes vendore mund të planifikojnë fonde të tjera shtesë nga nga të ardhurat e veta vendore, nga fondet që u vijnë drejtpërdrejt nga ndarja e taksave dhe tatimeve kombëtare, huamarrja vendore, donacionet etj.

Reshjet e dendura të shiut, situata problematike në Shkodër dhe Lezhë

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore