Shqipëria

Reshjet e dendura të shiut, situata problematike në Shkodër dhe Lezhë


Ministria e Mbrojtjes në Republikën e Shqipërisë ka realizuar pasqyrimin e fundit të situatës si pasojë e reshjeve intensive.

Ministria shprehet se situata problematike veçanërisht në qarqet e Shkodrës dhe Lezhës.

Sipas saj, mbi 240 efektivë të Forcave të Armatosura, me 25 motomjete dhe pajisje të posaçme për përmbytjet janë përqendruar në këto dy qarqe, në ndihmë edhe të forcave të tjera operacionale.

Ajo njofton se për shkak të pranisë së ujit në banesa, është bërë evakuimi i 50 familjeve në bashkinë Shkodër dhe tre familjeve në fshatin Gruemirë, bashkia Malësi e Madhe.

Të evakuuarit janë strehuar në konviktet e shkollave dhe pranë të afërmve të tyre.

Një familje është evakuuar nga fshati Mabe, në Lezhë, të cilët janë strehuar te të afërmit e tyre.

Pas kërkimeve intensive është bërë e mundur gjetja e trupave të babë e bir, në fshatin Dedaj, të cilët i mori rrjedha e ujit të përroit në vendin e quajtur “Grykë Lugje”, fshati Bogë, njësia administrative Shkrel,  bashkia Malësie Madhe.

Punonjësit e ARRSH-së janë gjatë gjithë kohës në terren për të pastruar akset e bllokuara.

Është bërë i mundur kalimi i banorëve të zonave ku ka probleme edhe me rrugë të tjera alternative.

Në aksin rrugor Shkodër- Lezhë, në vendin e quajtur “Harku i Bërdicës”, kalimi bëhet në drejtim të Gurit të Zi.

Po ashtu është normalizuar situata në aksin e vjetër Milot-Burrel, ku pati rënie gurësh.

Furnizimi me energji është i garantuar në pjesën më të madhe të zonave, ku ka pasur dëmtime nga reshjet, pas një pune të pandërprerë nga punonjësit e OSHEE në terren.

Situata po ndiqet me vëmendje edhe në bashkitë e tjera të vendit si në atë të Dibrës, Kukësit, Tropojës, Durrësit dhe Tiranës.

Rama: Jemi të gjithë në gatishmëri, ka të pavërteta sa i takon importit të energjisë

 

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore