Gjykata Speciale

Specialja shtyn dy seanca në rastin e Pjetër Shalës


Pjetër Shala.

Dy seanca në rastin e Pjetër Shalës janë shtyrë për javën e ardhshme, por që nga trupi gjykues është thënë se akoma nuk dihet nëse ato do të mbahen apo jo.

Përmes një komunikate të lëshuar nga Dhomat e Specializuara është thënë se dëshmia e Safet Gashit, ka përfunduar të mërkurën.

“Pas përfundimit të dëshmisë së dëshmitarit të mbrojtjes, Safet Gashi, gjykimi në çështjen P. Shala përfundoi për ditën e sotme dhe për këtë javë. Seancat e planifikuara për nesër dhe pasnesër (11 dhe 12 janar) janë anuluar. Seancat e ardhshme janë planifikuar më 19 dhe 22 janar, por Trupi Gjykues do të konfirmojë në kohën e duhur nëse ato do të mbahen apo jo”, thuhet në komunikatë.

Ndërsa, theksohet se trupi gjykues ka lëshuar disa urdhra gojorë, përfshirë atë lidhur me kërkesën e mbrojtjes për të shtuar një dëshmitare eksperte (psikologe) dhe raportin e saj të ekspertizës në listën e dëshmitarëve dhe listën e provave materiale të mbrojtjes, si dhe për ta thirrur dëshmitaren për të dëshmuar personalisht më 19 janar.

“Trupi Gjykues e miratoi pjesërisht kërkesën dhe urdhëroi që dëshmitarja dhe raporti (të cilin Trupi Gjykues e konsideroi relevant për përcaktimin e dënimit) t’i shtohen listës së dëshmitarëve dhe listës së provave materiale të Mbrojtjes. Megjithatë, Trupi Gjykues refuzoi pjesën e kërkesës së Mbrojtjes për dëshminë e kësaj dëshmitareje në gjykatë”.

Dëshmitari Safet Gashi.

Dëshmitari Safet Gashi, ka vazhduar dëshminë e tij në ditën e dytë në Gjykatën Speciale ku ka thënë se ka dallime në deklaratat që i ka dhënë më herët tek Zyra e Prokurorit të Specializuar (ZPS) dhe dëshmisë që po e jep tani në çështjen gjyqësore ndaj Pjetër Shalës.

Gashi, në deklaratën e tij ka thënë se “ka dallime e pranoj”, duke u arsyetuar me harresën.

“Dallimi mund të harrohet ashtu sikurse njeriu që harron. Kam qenë në shtator të 2019 dhe kam menduar që kam qenë në 2019 në prill, e keni vërejtur vetë gabimin që e kemi bërë se e kam harruar, harron personi”.

“5 vjet kanë kaluar. Po më flisni për disa fjalë që kanë ndodhur para 25 vitesh, zonja prokurore, kam harruar”, tha dëshmitari Gashi.

Para kësaj deklarate, kryetarja e trupit gjykues Mappie Veldt-Foglia, ia tërhoqi vërejtjen Gashit lidhur me kontradiktat në mes deklaratave të tij.

“Ju lutem përpiquni që të përgjigjeni në mënyrë sa më të saktë që të keni mundësi, në mënyrë që të shmangen keqkuptime të ndryshme, a e kuptoni këtë? Pesha e vlerësimit të dëshmisë tënde bëhet më vonë, por ju inkurajoj që të thoni të vërtetën sepse këtu jemi për të gjetur të vërtetën, për të gjetur faktet”.

“Nëse nuk jeni i saktë në përgjigjet tuaja, kjo punë bëhet për ne e vështirë”, tha Veldt-Foglia.

Sipas saj, mospërputhja në mes deklaratave të tij, ngrit pikëpyetje për t’u gjetur e vërteta.

“Ju u ballafaquat me disa mospërputhje të mundshme në mes asaj që ke thënë në deklaratat e dhënë ZPS-së dhe asaj që po deklaron në gjykatë dhe ne do ta vlerësojmë këtë më vonë, por kjo ngrit disa pikëpyetje të rënda dhe serioze për faktin se ku është e vërteta. Thjesht desha t’ua kujtoj këtë”, tha Mappie Veldt-Foglia.

Pas mbarimit të kësaj pjese të pyetjeve, me kërkesë të prokurores Gaia Pergolo, seanca kaloi në sesion privat për të vazhduar me pyetje të tjera për dëshmitarin.

Safet Gashi ka nisur dëshminë e tij të martën (9 janar 2024), ku është marrë në pyetje fillimisht nga mbrojtja e Pjetër Shalës.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore