Gjykata Speciale

Gashi: UÇK-ja s’ka pasur të bëjë asnjëherë me civilë – s’kemi arrestuar as civilë serbë


Safet Gashi në Gjykatën Speciale.

“Ushtria Çlirimtare e Kosovës, s’ka pasur të bëjë asnjëherë me civilë”, kështu ka deklaruar Safet Gashi në seancën e Gjykatës Speciale.

“Sa më kujtohet mua, kurrë nuk ka të bëjë me civilë, Ushtria Çlirimtare e Kosovës. Sa e di, kurrë me civilë nuk ka pas të bëjë”, tha Gashi.

Ai ka sqaruar se UÇK-ja është angazhuar vetëm me ushtarët serbë me uniformë.

“S’kemi pas të bëjmë me civilë asgjë, pos me ushtarë serbë në uniformë. Civilë as serbë nuk kemi arrestuar, le më civilë shqiptarë”.

I pyetur për njohjen e tij me Pjetër Shalën, ai ka thënë se nuk e kishte njohur dhe as nuk e kishte parë gjatë luftës.

“Kurrë në jetë nuk e kam njoftuar atë njeri. As që e kam pa ndonjëherë. Kurrë pa atë njeri s’e kam. Ju betohem”, tha Gashi.

Ndërsa, sa i përket uzinës së Fabrikës në Kukës, ai ka mohuar një gjë të tillë duke thënë se nuk kishte informacion nëse kishte ndonjë Shtab tjetër të UÇK-së në këtë qytet.

Gashi, potencoi se ka qenë pjesë e Brigadës 128, e cila e ka pas bazën në Guruzhup, ndërsa shtoi se komandant i përgjithshëm i kësaj Brigade ka qenë Ruzhdi Sermati, të cilin e ka parë vetëm 2-3 herë.

“Unë po flas për Brigadën teme. Brigada është 128. Unë për vete jam kanë e i kam mbaruar ushtrimet në Goruzhup. (Pjesëtarët e Brigadës) kanë qëndruar edhe në vende të tjera, por nuk jam në dijeni se ku kanë qëndruar”.

“Unë kam qenë në njësinë speciale. Ne jemi kanë në vijën e parë të frontit. Ky tog merr prej 11 deri në 15 ushtarë”, tha dëshmitari Gashi.

Gashi, dëshminë e tij e ka nisur në seancë private, kjo pasi ishte bërë kërkesa nga trupi gjykues.

Pyetjet për këtë dëshmitar, kishte filluar që t’i parashtrojë avokati i Shalës, Jean-Louis Giliss.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore