Gjykata Speciale

Gashi në Speciale: E pranoj që ka dallime nga deklaratat që i kam dhënë në vitin 2019 – por kam harruar


Dëshmitari Safet Gashi.

Dëshmitari Safet Gashi, ka vazhduar dëshminë e tij në ditën e dytë në Gjykatën Speciale ku ka thënë se ka dallime në deklaratat që i ka dhënë më herët tek Zyra e Prokurorit të Specializuar (ZPS) dhe dëshmisë që po e jep tani në çështjen gjyqësore ndaj Pjetër Shalës.

Gashi, në deklaratën e tij ka thënë se “ka dallime e pranoj”, duke u arsyetuar me harresën.

“Dallimi mund të harrohet ashtu sikurse njeriu që harron. Kam qenë në shtator të 2019 dhe kam menduar që kam qenë në 2019 në prill, e keni vërejtur vetë gabimin që e kemi bërë se e kam harruar, harron personi”.

“5 vjet kanë kaluar. Po më flisni për disa fjalë që kanë ndodhur para 25 vitesh, zonja prokurore, kam harruar”, tha dëshmitari Gashi.

Para kësaj deklarate, kryetarja e trupit gjykues Mappie Veldt-Foglia, ia tërhoqi vërejtjen Gashit lidhur me kontradiktat në mes deklaratave të tij.

“Ju lutem përpiquni që të përgjigjeni në mënyrë sa më të saktë që të keni mundësi, në mënyrë që të shmangen keqkuptime të ndryshme, a e kuptoni këtë? Pesha e vlerësimit të dëshmisë tënde bëhet më vonë, por ju inkurajoj që të thoni të vërtetën sepse këtu jemi për të gjetur të vërtetën, për të gjetur faktet”.

“Nëse nuk jeni i saktë në përgjigjet tuaja, kjo punë bëhet për ne e vështirë”, tha Veldt-Foglia.

Sipas saj, mospërputhja në mes deklaratave të tij, ngrit pikëpyetje për t’u gjetur e vërteta.

Dëshmitari Safet Gashi.

“Ju u ballafaquat me disa mospërputhje të mundshme në mes asaj që ke thënë në deklaratat e dhënë ZPS-së dhe asaj që po deklaron në gjykatë dhe ne do ta vlerësojmë këtë më vonë, por kjo ngrit disa pikëpyetje të rënda dhe serioze për faktin se ku është e vërteta. Thjesht desha t’ua kujtoj këtë”, tha Mappie Veldt-Foglia.

Pas mbarimit të kësaj pjese të pyetjeve, me kërkesë të prokurores Gaia Pergolo, seanca kaloi në sesion privat për të vazhduar me pyetje të tjera për dëshmitarin.

Para së të fillojë dëshminë dëshmitari Gashi, kryetarja e trupit gjykues, Mappie Veldt-Foglia dha një urdhër që ka të bëjë lidhur me nxjerrjen e disa materialeve nga ZPS-ja për mbrojtjen.

“Lidhur me njoftimin shtesë të rregullës 102 të Prokurorisë që është parashtrimi i protokolluar i datës 8 janar 2024. Duke pasur parasysh numrin e kufizuar të materialeve, do të veprojmë si në vijim me qëllim që mbrojtja t’i marrë ato materiale në mënyrë sa më të shpejtë nëse i kërkojnë”.

“Mbrojtja duhet të informojë ZPS-në se cilat materiale nga këto të renditura në njoftim dëshiron që t’i ketë dhe përmes nxjerrjes apo konsultimit të materialeve dhe do të japë një njoftim sot me datën 10 janar deri në orën 13:00”, tha gjykatësja gjatë marrjes së këtij urdhri.

Ajo shtoi se ZPS-ja duhet të nxjerrë dhe t’i japë qasje në këto materiale të caktuara të kërkuara nga mbrojtja sot, deri më 11 janar 2024.

“Nëse mbrojtja kërkon nxjerrjen e këtyre materialeve sipas rregullës 103 që kërkojnë përcjelljen e këtyre materialeve me redaktime, ZPS të bëjë kërkesë para trupit gjykues të njëjtën ditë, pra të enjten, 11 janar 2024 deri në orën 13:00”.

“Kështu që nëse ZPS-ja dëshiron të kundërshtojnë materialitetin e dëshmive të kërkuara nga mbrojtja, duhet ta paraqes këtë kundërshtim të trupi gjykues”, tha Veldt-Foglia.

Safet Gashi ka nisur dëshminë e tij të martën (9 janar 2024), ku është marrë në pyetje fillimisht nga mbrojtja e Pjetër Shalës.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore